Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 19:17

Gjatë një vizitë në Gjirokastër presidenti i republikës Bamir Topi ka deklaruar se ai është për promovimin e dialogut kur është pyetur gjatë një vizite në Gjirokastër për sulmet më të fundit ndaj figurës së tij nga kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli.

“Kjo vizitë sot është e mbushur me aktivitete të cilat shkojnë në linjën e angazhimit të Presidentit, si Kryetar Shteti, për të kontaktuar jo vetëm institucionet e pushtetit vendor. E kemi thënë që pushteti vendor është pushteti më afër qytetarit për të kontaktuar qytetarë, dhe natyrisht të gjitha komentet e tjera janë shumë anësore për mua”-është shprehur Topi.

Sipas tij e rëndësishme është që ai të angazhohet deri në ditën e fundit si President i Republikës, si Kryetar Shteti, për të promovuar dialog, harmoni, bashkëpunim shumë të mirë midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror, për të mirën e qytetarëve.

“E kemi thënë, qytetari është në qendër të vëmendjes, qoftë si institucion, por qoftë edhe si formim. Unë dëshiroj që qytetari të jetë i pari kudo, sepse është qytetari që, kur vjen momenti pastaj për të zgjedhur, është ai që ne i dedikohemi shumë. Pra, dëshiroj që të mos ta përziej me asnjë lloj politike që nuk i takon misionit tim, si President”-ka përfunduar Topi.

Topi përshëndet censusin në Shqipëri

Kreu i shtetit mund të cilësohet se nga shumë zëra si kryetari i ardhëshëm i Aleancës Kuqezi por kjo nuk e ka penguar atë që të vlerësojë punën e bërë në Shqipëri për censusin e popullisë.

“Në një vend demokratik është shumë e rëndësishme që të vlerësohen në mënyrë specifike të gjitha institucionet. Unë, si Kryetar i Shtetit, e kam inkurajuar regjistrimin e popullsisë, sepse është një kërkesë, së pari, e nevojshme e kohës, patjetër edhe e institucioneve ku ne aderojmë, dhe duhet ditur për shumë arsye, për një mijë arsye, që qytetarët duhet të dinë të regjistrohen, të ketë sensus”- ka deklaruar kreu i shtetit.  

Sipas tij, ky proces mendohet që të jetë realizuar në standardet e kërkuara por janë institucionet specifike që do të thonë fjalën e tyre në momentin kur ata do të përpunojnë, do të elaborojnë të dhënat e tyre natyrisht.

“E rëndësishme është të japim këtë vlerësim për procesin dhe të presim prononcimin e institucioneve të specializuara për këtë punë”- ka deklaruar më tej presidenti Topi.