Tiranë-Presidenti Topi e ka cilësuar një lajm të dhimbshëm për familjen dhe shoqërinë shqiptare vdekjen e politikanit, shkrimtarit dhe skenaristit Sabri Godo.
Kreu i shtetit nëpërmjet një deklarate për mediat ka vlerësuar figurën e Sabri Godos si moderator të politikës shqiptare në 20 vitet e fundit dhe një personalitet me emër në fushën e kulturës.
Po kështu kryetari i PS-së Edi Rama iu shprehu ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta.
“Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i PS-së, por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit socialist.
“Sabri Godo do të çmohet gjithnjë prej nesh për konseguencën e tij në mbrojtjen e interesave e vlerave tona kombëtare”, përfundon mesazhi.
Edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta iu shprehu sot ngushëllimet familjes së politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godos, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta. “Politikës do t’i mungojë fjala e urtë e Godos.Ai ishte një shëmbull i qetësisë dhe maturisë”, shprehet Meta.
Më tej në mesazhin e ngushëllimit, kreu i LSI-së, vlerëson rolin e Sabri Godos në Kushtetutën e vendit. (LajmeShqip.com)