Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 10:04

TIRANË – Bamir Topi president i republikës së Shqipërisë në më shumë se 4 vitë në këtë post është shquar sidomos për një gjë.

Për gjuhën e tij të moderuar të butë dhe shfaqjen gjithmonë si babaxhan në sytë e publikut. Mbrëmjen e të martës ai është shfaqur krejt ndryshe gjatë një interviste për gazetarin Ilir Babaramo. Arrogant, i tensionuar, agresiv dhe presues madje dhe kërcënues.

Kanë qenë këto disa nga tiparet e panjoura të Bamir Topit të cilat ai i ka shfaqur gjatë përgjigjeve të tij për pyetjet normale të karakterit politik të gazetarit Babaramo i cili njihet si një nga intervistuesit më korrekt në mediat shqiptare.

“Nëse do të marrësh intervistë tjetër me mua më mirë mos shko më tej më pyetjet e tua”- e ka kërcënuar Bamir Topi, gazetarin i cili për të qetësuar tonet e acaruara të presidentit Topi më buzëqeshje e ka mbyllur emisionin pasi i kishte bërë thjeshtë dhe vetëm këto pyetje normale për një personazh politik i cili tashmë nuk e fsheh aspak se pas largimit tashmë të sigurtë nga detyra e presidentit do të krijojë një parti të re politike.

 
DIALOGU POLITIK, TOPI: ME RËNDËSI, POR I PAMJAFTUESHËM
Bamir Topi deklaroi se konsensusi mes partive politike për reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe ligjet me 3/5, është një hap shumë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për përmbushjen e aspiratave integruese të vendit.

“Besoj së dialogu mes palëve është një hap i rëndësishëm drejt asaj që ne kërkojmë, por nuk është i mjaftueshëm. Ekzistojnë kushte të tjera që duhen plotësuar, të cilat janë bërë shpesh publike. Bashkëpunimi duhet të jetë i plotë dhe dinjitoz, pasi përbën garanci për qytetarët e partnerët dhe është vendimtare për marrjen e statusit kandidat.”- deklaroi kreu i shtetit.

KODI ZGJEDHOR, TOPI: AFATGJATË DHE KONSENSUS
Kreu i shtetit duke iu referuar rinisjes së diskutimeve mes palëve për reformën zgjedhore vlerëson se politikës shqiptare i duhet një kod afatgjatë, i cili duhet analizuar në kohë.
“I sugjeroj që të mos bëjnë atë që kanë bërë gjatë 20 viteve. Bëjnë shumë debate dhe e analizojnë në momentin e fundit. Gjërat të analizohen në kohë. Palët të ekspozojnë pozicionimin e tyre në bazë të ndërkombëtarëve. Ne bëjmë progres në legjislacion qytetarët dhe politika duhet të shkojnë në zgjedhje të qetë. Modeli të përzgjidhet në qetësi dhe të përkrahet nga shumica. Dhe ajo që realizohet në ligj të zbatohet në mënyrë korrekte”,- nënvizoi Topi.

TOPI: KQZ LARG POLITIKËS
Presidenti Topi pyetjes së ndryshimeve në kod që përjashtuan rolin e tij në zgjedhjet e Komisionit Zgjedhor, u shpreh se kreu i shteti nuk duhet të ndërhyjë në këtë cështje. Apeli i Topit për politikën ishte largimi i politikës nga KQZ.
“Presidenti ka pozicionin e tij kushtetues, unë nuk mund të jem interfereues në këtë proces. Apeli im është se ky komision duhet të largohet nga politika, të jenë njerëz që prodhojnë dije, të punojnë më shumë me prefesionalizëm. Problemet vijnë nga subjektivizmi”,- u shpreh Topi.

SISTEMI ELEKTORAL,TOPI: NUK ËSHTË TABU
Presidenti Topi u shpreh se sistemi elektoral nuk është tabu, por cështja sipas tij është tek vullneti i palëve.
“Padashur që të merret si pikë referimi një thënie e caktuar unë them në parim se asgjë nuk konsiderohet tabu. Ky vend ka pasur modele të ndryshme, unë kam pasur raste të provoj sistemin mazhoritar të korrektuar me proporcionalin, pas 2008 u fut sistemi tjetër që është i mirë por nuk realizohet sic duhet. Në rast se në ligjin mazhoritar e përcaktojnë rolin e një personi si kryesor, në sistemin proporcional futen faktorë që kanë pavarësi nga strukturat politike. Ka raste se pas figurave të rëndësihsme ka figura të mira që në sistemin mazhoritar nuk do ishin të sukseshëm. Gjithë kodet në Shqipëri kanë qenë të mirë , nuk ka pasur kode të këqij, mënyra se cfarë është diiskutuar është tjetër gjë. Cështja është në zbatimin e ligjit. Kontaktet me ndërkombëtarët janë të mëdha, por tek ne është cështje vullneti, unë mendoj se rikthimi i vullnetit i solli palët në tavolinë”,- theksoi presidenti.

KRIZA EKONOMIKE, TOPI: DUHET KUJDES NË KËTO KOHË TË VËSHTIRA
I pyetur në lidhje më krizën ekonomike në Europë dhe pasojat që mund të ketë Shqipëria, Presidenti theksoi nevojën e një debati të kujdesshëm dhe profesional për të gjitha hapat që do të ndërmerren.

“Vendet kufitare të Shqipërisë dhe partneret kryesore të vendit janë në vëshirësi të mëdha ekonomike. Duhet patur kujdes në këto kohë të vështira. Duhet një debat i kujdesshëm, transparencë dhe vizion i qartë për të gjitha hapat e perspektivës”,- u shpreh Presidenti Topi.

Ndërkaq, kreu i shtetit theksoi se “situata globale është një situatë e cila nuk të ofron komoditet për të qenë komod në diskutimin e termave ekonomike.
Deri tani ne kemi parë që gjërat janë menaxhuar, por vetëm sot ne kemi një lajm që janë ulur standardet e kredibilitetit edhe për vendet e konsideruara të boshtit të BE-së.”

BUXHETI 2012, TOPI: REDUKTIMET TË MOS PREKIN FUNKSIONET E INSTITUCIONEVE
Presidenti Topi foli edhe për buxhetin e viit 2012, të miratuar një ditë më parë nga Kuvendi, duke u ndalur në shkurtimet e parashikuara për disa nga institucionet kryesore të vendit.

Kreu i shtetit tha se reduktimi i fondeve justifikohet nga situata e vështirë ekonomike, por theksoi domosdoshmërinë që këto shkurtime të mos prekin funksionet bazë të institucioneve.
“Duhet të ketë një koshiencë të drejtuesve se gjërat që nuk duhet të preken, nuk duhet të preken. Nuk kam ngritur zërin për uljen e fondit për Presidencën dhe duhet të pranoj që situata ekonomike ka detyruar uljen e fondeve për institucionet. Problemi është në nevojën e ruajtjes së veprimtarisë bazë të institucioneve.”- theksoi Topi.

“Nëse themi se Shërbimi Informativ Kombëtar ka nevojë për një fond të detajuar, padyshim që lind nga nevoja dhe detyrimet e karakterit politik dhe strategjik. Këto janë çështje që kanë të bëjnë me veprimtarinë bazë të institucioneve të shtetit dhe vendit.”,- vijoi Presidenti.

MBETJET, TOPI: LIGJI NUK PËRPUTHEJ ME KUSHTETUTËN
Presidenti Topi sa i takon ligjit për mbetjet deklaroi se kthimi i tij në Parlament, është bërë për asrye mos përputhshmërie me Kushtetutën.

“Unë kam thënë se nuk mund të ndikohem emocionalisht. Presidenti e ka të detyrueshëm të konsultojë përputhshëmrinë e ligjit me parimin e Kushtetutës. Debatet rreth një ligji duhet të shkojnë jo thjesht me përputhshmërinë e Kushtetutës, por edhe me një sensibilitet të gjërë”,- u shpreh Topi.

KREU I KLSH, TOPI: NUK KA ARSYE TË KONTESTOHET
Pyetjeve mbi propozimet e presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe mos aprovimin nga mazhoranca, Topi nënvizoi se kandidatura e Bujar Leskaj në këtë post nuk ka arsye të refuzohet. Ndërkohë Topi u shpreh se nuk ka preferuar të paragjykojë rrëzimin e kandidaturës së Sali Shehut.

“Unë sot e kam të vështirë të gjej njerëz të papërfshirë në politikë. Dikush është i ekspozuar, dikush tjetër shërben ose në një krah ose në një tjetër. Kjo e ngushton hapësirën e zgjedhjes. Unë mendoj se Leskaj përvec profilit poltik është figurë e rretheve akademike. Është njeri që ka kontribute, ne dëshirojmë që në krye të KLSH të jetë një person me atribute. Unë mendoj se është një nga figurat që nuk ka arsye të kontestohet”,- theksoi Topi.

TOPI: NUK KAM PUNUAR KURRË ME GRUPAZHE NË PD

I pyetur se dy propozimet e presidentit për kreun e KLSH-së, janë cilësuar si mbështetës të kreut të shtetit në kohën që ishte anëtar i grupit parlamentar të PD, Topi konfirmoi se kurrë nuk ka vepruar me grupazhe. Presidenti Topi ka bërë një analizë të thelllë sa i përket personave që servilosen në politikë.
“Dua t’ju siguroj që asnjëherë nuk kam punuar me grupe. Kam tentuar të krijoj frymë respekti reciprok, pastaj cdo njeri është i lirë të orientohet, të ruajë konformizmin apo të jetë kontestues. Është një cështje që ka të bëjë me performancën. Unë mendoj se cdo njeri e krijon vetë profilin e tij”.

Presidenti Topi ka bërë një analizë të thelllë sa i përket personave që servilosen në politikë.
“Edhe unë e kam për nder që jam mik i Sali Shehut. Unë mendoj se gjërat e thëna drjetpërdrejtë janë më të mira. Është mirë që gjërat të thuhen hapur, pa paragjykime. Është më mirë ti themi në sy se në rast të kundërt stimulon servilizmin për të qenë të mirë me shefin. Po hyre në politikë si zvarranik nuk do mbahesh në këmbë. Sot është momenti që njerëzit që merren në politikë të dalin sic janë. Kjo është arsyeja që ligji proporcional është i mirë për disa pasi të jep mundësinë që ata që dredhin belin mirë mund të jetojnë”,- deklaroi Topi.

DEBATET ME TOPALLIN, TOPI: NUK MERITOJNË T’U RIKTHEHEMI

I pyetur për debatin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Presidenti Topi tha se “këto janë debate që nuk meritojnë t’u rikthehemi, pasi nuk i shërbejnë çështjes për të cilën unë flas përdit, kudo ku shkoj, për unitetin e komunikimin në hapësirat ku jetojnë shqiptarët”.

Sipas Presidentit, njerëzit që merren me politikë dhe mediat duhet të kenë një frymë kohezioni, për të stimuluar vlerat e vërteta të shqiptarëve.
“Emisioni i mëngjesit i Bashkim Hoxhës është mjaft i rëndësishëm, pasi ngre drejpërdrejt zërin e qytetarëve. Duhet të zhvillojmë debate të hapura për publikun”- tha Presidenti.

TOPI: RUAJTJA E DINJITETIT, GJËJA MË E RËNDËSISHME
Kryetari i shtetit nuk pranoi të jepte një përgjigje konkrete në lidhje me një vendim të mundshëm të PD-së për ta propozuar sërish për postin e Presidentit të vendit.
“Nuk mund të jap një përgjigje që nuk është në funksion të kohës. Duhet të ketë një lloj respekti për institucionin dhe pozicionin.”- tha Presidenti.

Megjithatë, presidenti theksoi se nuk do të pranojë kurrsesi të nënshtrohet nga politika, duke humbur lirinë dhe dinjitetin.“Raportet personale individuale njeriu fatmirësisht i zgjedh vetë. Më shumë se liria nuk vlen asgjë tjetër.Tentativa për të qenë i nënshtruar, për të bërë karrierë, duke humbur lirinë, është një tentativë vetëvrasëse. Ruajtja e dinjitetit është gjëja më e rëndësisshme”. -vijoi më tej Presidenti.