Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 17:01

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu bëri sot apel forcave politike që të bashkëpunojnë fuqishëm me fillimin e sesionit të ri parlamentar, në dobi të axhendës së integrimit të Shqipërisë.

“Do t’i kujtoja politikës shqiptare, në radhë të parë politikës parlamentare, që sezoni që presim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me nevojën jetike për një bashkëpunim të domosdoshëm midis pozitës dhe opozitës”, u shpreh Presidenti Topi për mediat, pas një vizite pune në komunën e Himarës.

“Ajo që unë do jepja si një apel edhe një herë shumë të fortë, është nevoja, domosdoshmëria për të bashkëpunuar. Nuk mund të shkojmë në Evropë pa dhënë në mënyrë të qartë idenë që shqiptarët, klasa politike, partitë politike, dinë të bashkëpunojnë dhe dinë të prodhojnë jo vetëm ligje, por edhe marrëveshje, por edhe detyrime që vijnë nga raporti i Komisionit Evropian”, theksoi Presidenti i Republikës.

I pyetur nga gazetarët lidhur me debatin për ndryshimet kushtetuese Kreu i shtetit tha se ai “nuk do të futet për asnjë moment në çështjen e debatit mbi ndryshimet kushtetuese”.

Por, vijoi ai, “Presidenti, duke respektuar pozicionin e tij, e ka të drejtën nëse kjo del në planet e partive politike për ta diskutuar për t’u shprehur në momentin e fundit me dekretin e tij. Por edhe në retrospektivë, edhe kur partitë politike kanë vendosur që të bëjnë ndryshimet kushtetuese, ju siguroj që nuk e kanë pyetur Presidentin. Kjo nuk do të thotë që në të ardhmen Presidenti të mos mbajë qëndrimin e tij institucional, konstitucional. Pra, është në të drejtën e partive politike për ta mbajtur të gjallë debatin, ose jo, është një çështje e tyre”, theksoi Kreu i Shtetit.

I pyetur për raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, Topi tha se e kemi vlerësuar me nota shumë realiste dhe se ajo shkon në vijueshmëri të të gjitha apeleve që janë dhënë vazhdimisht për politikën shqiptare.

Në përgjigje të pyetjes nëse kjo vlen edhe për zgjedhjet lokale, nisur dhe nga raporti i OSBE/ODIHR-it, Presidenti i Republikës u shpreh se “natyrisht që vlerësojmë me nota shumë realiste raportin e OSBE/ODIHR-it dhe nga ai raport dalin shumë gjëra, të cilat në radhë të parë janë detyrim për partitë politike.”