Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 15:32

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apeloi sot për bashkëpunim mes akterëve kryesorë politikë, ndërsa kërkoi që mosmarrëveshjet e tyre politike të mos tentojnë t’i zhvendosin tek sistemi gjyqësor.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu, reagoi ndaj mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe konkretisht shqetësimeve të ngritura nga anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.
Sipas Presidentit, “mbledhja e radhës e KLD-së nuk merr përsipër zgjidhjen e pretendimeve të tyre, që nuk janë kompetencë e KLD-së, pasi ligji ka përcaktuar organin ligjor ku mund të adresohen. Në rastin më të mirë, KLD mund të dalë me propozime konkrete për ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor me qëllim parandalimin e tyre në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Presidentit.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës rikujton se me ndryshimet e vitit 2008 në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, Institucioni i Presidentit dhe i KLD-së është përjashtuar nga e drejta e përfaqësimit në KQZ duke i dhënë procesit të administrimit zgjedhor natyrë bipartiake. 
“Kodi Zgjedhor u ka njohur imunitet të veçantë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duke i përjashtuar ata nga çdo kompetencë funksionale e KLD-së. Në këtë mënyrë, Kolegji Zgjedhor dhe aktiviteti i tij nuk kanë lidhje organike dhe funksionale me Institucionin e Presidentit dhe të KLD-së, gjë që vetvetiu nënkupton mungesën e kompetencës ligjore të KLD-së për të trajtuar shqetësimet e ngritura nga anëtarët e Kolegjit”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Ndërsa lidhur me praninë ose jo të Presidentit të Republikës në mbledhjen e sotme të KLD-së, zëdhënësja sqaron se prania ose delegimi i drejtimit të mbledhjeve të KLD-së sipas ligjit, lidhet me gjykimin e Presidentit të Republikës mbi rendin e ditës. “Në rastet kur çështjet në rendin e ditës kanë qenë tërësisht teknike, Presidenti e ka deleguar drejtimin e mbledhjes duke respektuar aftësinë e anëtarëve të KLD-së për ekspertizë dhe gjykime profesionale. Mbledhja e sotme është caktuar ditë më parë me një rend dite të karakterit thjesht teknik”, sqaron deklarata.
Më tej, Presidenti i Republikës apelon në adresë të aktorëve kryesorë politikë dhe mediat e kontrolluara prej tyre, që konfliktet dhe mosmarrëveshjet e tyre politike të mos tentojnë t’i zhvendosin tek sistemi gjyqësor, përmes ndonjë anëtari përfaqësues dhe emërtesë të ndonjë vullneti të caktuar politik. “Drejtuesit politikë duhet që me qetësi dhe kurajo të ndjekin rrugën institucionale për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës thekson se debatet publike mbi çështje të tilla, nuk duhet kurrsesi të tërheqin vëmendjen, ose të kalojnë në plan të dytë nevojën e madhe që ka vendi për zgjidhjen pa vonesë dhe afatgjatë të situatave politike. 
“Trajtimi për zgjidhje i të gjitha mosmarrëveshjeve politike është detyrë dhe përgjegjësi direkte e aktorëve kryesorë politikë, edhe njëherë Presidenti i Republikës apelon për dialog dhe bashkëpunim institucional për zgjidhjen pa vonesë të tyre, si detyrim që ata u kanë qytetarëve dhe axhendës integruese të Shqipërisë”, përfundon deklarata publike e Kreut të shtetit.