Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 19:46

Shkodër- Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot paradite një vizitë pune në një nga zonat e prekura në vend nga moti i keq i ditëve të fundit, në Komunën e Temalit, ku u prit nga drejtues të pushtetit vendor.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Kryetari i Shtetit u interesua nga afër për situatën aktuale kritike të të gjithë kësaj zone, si dhe për masat e marra për përballimin e kushteve të rënduara të motit.

Gjithashtu, Presidenti Topi vlerësoi punën e gjithë përfaqësuesve të njësive vendore, si dhe ndihmesën e pakursyer të ushtrisë e policisë, të stafeve mjekësore e forcave të tjera të njësive të ndihmave emergjente, duke shprehur mbështetje e përkrahje të plotë institucionale, si dhe solidaritet njerëzor në kapërcimin sa më shpejt të situatës së përkeqësuar të kushteve atmosferike.

Në këtë kuadër, Presidenti Topi kërkoi të ndihmohet e të evakuohet një familje e izoluar në fshatin Vilë të Komunës Temal, anëtarët e së cilës kishin probleme shëndetësore.

“U bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve të forcave të ndryshme politike që përbëjnë këshillat e komunave e të bashkive, kudo ku ka probleme të kësaj natyre të punojnë së bashku, pa asnjë lloj ndarjeje apo pozicionimi politik, për të sinkronizuar të gjithë fuqinë tonë për të dalë nga kjo situatë”, tha Presidenti Topi.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nxiti përfaqësuesit e biznesit që të solidarizohen duke shpërndarë ndihma për banorët e zonave të bllokuara nga dëbora.

Po sot paradite, Presidenti Topi vizitoi edhe Hidrocentralin e Komanit, ku u u informua me hollësi mbi gjendjen emergjente në këtë pikë strategjike, si dhe për masat konkrete që janë marrë për përballimin e gjendjes kritike në këto momente, por edhe në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të motit. (LajmeShqip.com)