Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:31

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me ftesë të Drejtuesit të Fondacionit “Marmara”, Dr. Akan Suver, do të zhvillojë në datat 13-15 prill një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të 14-të Euroaziatik, që do të zhvillohet në Stamboll.

Në ditën e parë të vizitës, Kryetari i Shtetit do të ndjekë punimet e Samitit, tema kryesore e të cilit përqendrohet në “Euro-Azia, 20 vjet më vonë – 1991-2011” dhe ku do të diskutohet edhe për nëntema si “Bashkëpunimi rajonal dhe çështjet energjitike”; “Energjia bërthamore”; “Projektimet e ardhshme”; “Lufta kundër terrorizmit global”, ndërsa në ditën e dytë do të mbajë një fjalim në seancën mbi: “Njeriun e mprehtë dhe bashkëkohor. Fitimet dhe humbjet e njëzet viteve të fundit” ku do të flasë për “Arritjet e Shqipërisë pas formimit të shtetit të pavarur”.

Gjatë punimeve të këtij të Samiti të rëndësishëm ekonomiko-politik, Presidenti Topi pritet të takohet me homologë të tjerë nga rajoni si me Presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov dhe atë të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, me personalitete të ndryshme pjesëmarrëse dhe në axhendën e Kryetarit të Shtetit shqiptar parashikohet gjithashtu edhe një vizitë e veçantë në Bashkinë e “Bajram Pashasë”.