Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 08:00

Intervistë e Presidentit Topi për emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta në Televizionin “Vizion +”. Topi i përgjigjet deklaratave të Berishës se edhe vëllai i presidentit voton për të duke thënë: “Stop! Mos u fut më tej tek familjet, sepse është bërë zakon që në të gjithë fjalorin e tij të futet nëpër familje, bën diversion midis burrit dhe gruas, midis motrave, midis vëllezërve! Pra, kjo është sjellja më e shëmtuar që është patjetër një inerci e dukshme jo thjesht e një mentaliteti komunist, por edhe e një njeriu të lidhur shpirtërisht me komunizmin, i cili në mënyrë shumë të suksesshme”

Është kënaqësi për mua dhe për hir të së vërtetës, do të duhej menjëherë t’ju bëj një pyetje që më ka bërë përshtypje në raport me performancën tuaj. Ju keni qenë një President Republike i kujdesshëm. I vetmi që ka shprehur që heshtja mund të konsiderohet presidenciale dhe është një heshtje që flet. Sa herë ka ndodhur kështu, unë për vete, përpara televizorit kam thënë: Pse nuk flet tani? Mirëpo sikur të punonte Presidenca sipas dëshirave të çdo individi, ajo do kishte qenë shumë problematike. Sidoqoftë zoti President, ju në fund fare, folët, folët hapur, folët fort. Mund të them bile që thanë, disa njerëz patën dhe një kështu që ‘më në fund!’. Pse tani?

Unë besoj që nuk është rasti i vetëm, por mesa duket, publikut i bën përshtypje ndonjë deklaratë që konsiderohet e fortë, por edhe pak e ashpër. Ndoshta, nuk ka qenë në natyrën time dhe nuk është në natyrën time, që t’i trajtoj deklaratat me ashpërsi, sepse sikurse dihet, sikurse thatë dhe ju, Institucioni i Presidentit është një institucion i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nëse janë të djathtë, janë të majtë, janë të qendrës, pavarësisht nëse dikush ka alergji për politikën, por unë i përfaqësoj të gjithë. Është ndërtuar në mënyrë të tillë Kushtetuta që Presidenti i përfaqëson të gjithë. Kjo është arsyeja që kur largohet nga partia, jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet.

Më vjen mirë që kjo gjen një mbështetje. Më duket kaq e sofistikuar kjo, që të largohesh nga partia, të japësh dorëheqjen në një vend militantesk e problematik, siç është Shqipëria. Aq e vërtetë është kjo, zoti President i Republikës, sa, pikërisht nga partia juaj janë gjashtë funksionarë publikë të shtetit shqiptar që marrin rrogën praktikisht që kanë një agjendë të hapur, fare-fare pa u fshehur, që merren sistematikisht dhe ju sulmojnë fort, çka në vetvete, le të themi e vendos atë që sapo thatë në një dritë tjetër. Disa prej tyre … po…

Unë mendoj që ndonjë hall të madh duhet të kenë, sepse unë, përveç të tjerave, kam një të kaluar nga bota akademike. Kështu që jam marrë edhe me teorinë e dominantit. Kur në psiqikën e njeriut krijohet një dominant i caktuar, atëherë pa e kuptuar edhe ata vetë, fillojnë të merren pikërisht me dominantin. U takon atyre ta thonë nëse  përbën ndonjë dominant apo jo. Unë jam i bindur në këtë lloj përcaktimi.

Është kërkuar hapur kohët e fundit, në një mënyrë jo elegante, të gjithë e dinë që ju do ta mbaroni mandatin në kohën e duhur. Por tanimë kërkohet për t’ju vendosur në një pozicion të vështirë dhe për të shkaktuar dominant tek ju, kërkojnë dorëheqjen tuaj. Ju e keni thënë në një nga intervistat e shkruara kohët e fundit hapur që do të mbaroni mandatin plotësisht, por në fakt, çfarë ndjesie ju jep kjo, të qenit nën një atak të vazhdueshëm në raport me këta elementë, ndërmjet të tjerash.

Absolutisht asnjë lloj efekti. Pra, kur shkon në atë pozicion, pikë së pari duhet të largohesh nga emocionet. Duhet të bësh një punë shumë profesionale që konturohet nga Kushtetuta. Pastaj, natyrisht unë jam një njeri, i cili patjetër ndikohet nga publiku. Unë do u bëja pikërisht këtë apel, që drejtojuni sondazheve publike, për të parë se sa zëra të izoluar janë këta, që kërkojnë pikërisht këtë gjë. Kjo shihet në të gjitha sondazhet, unë dëshiroj të dal pak nga modestia, pikërisht për të vërtetuar të kundërtën e asaj që pretendojnë. Ju shikoni, unë nuk dëshiroj të flas sot për sondazhet që bëjnë të tjerët, s’i bëj unë.

Zoti President, festimet e Besëlidhjes dhe në fakt për hir të së vërtetës, festimet në vetvete, tregojnë edhe kulturën dhe finesën dhe elegancën e një kombi. Fjala vjen, Italia i zgjidhi në mënyrën më madhështore të mundshme festimet e 150-vjetorit. Kishte vetëpërmbajtje, elegancë, një organizim i shkëlqyer, skrupuloz. Njerëzit u gëzuan, pa anashkaluar ose pa e përdorur edhe atë, le të themi, për të thënë që ‘topi është i imi’ dhe në këtë rast kam …

Kam qenë pjesë e atyre festimeve dhe jam dakord absolutisht me ju, por sikurse di edhe këtë që Presidentit Napolitano, protokollin s’ia kishte bërë Kryetari i Bashkisë së Romës. Pra, 2 marsi i vitit 1444 është një datë shumë historike për shqiptarët, që lidhet me Skënderbeun, por lidhet dhe me një mision përbashkues, në një kohë kur princat shqiptarë ishin të ndarë dhe me shumë probleme. Dhe kjo datë meritonte pikërisht këtë simbolikë përbashkimi, ku aty duhet të ishin të gjithë, duhet të ishin jo thjesht për të qenë formalisht të pranishëm, por për të dhënë një mesazh publik, që jemi të gjithë së bashku, jemi së bashku për të vlerësuar që e ardhmja e Shqipërisë bëhet jo në mënyrë të izoluar, por bëhet së bashku, nga të gjitha faktorët.

Ngjarja që ndodhi, nga mënyra se si u zhvillua ngjarja, ju nuk u lejuat që të flisnit ose të paktën nuk u programua, u tha në fund, u thanë disa të vërteta, disa versione le të themi të të vërtetës, ju nuk ishit prezent. Pastaj Presidenca doli me një dokument që shpjegonte, le të themi, ngjarjen. Po ju vetë zoti Topi, nuk folët. Unë jam shumë kurioz, në një ballafaqim të fortë kur dikush ju quan gënjeshtar, ju vetë nuk keni shtysën të dilni personalisht dhe të thoni: ‘Ngjarja ndodhi 1,2,3,4, ky është versioni im i së vërtetës’?

Kurrë nuk do ta ulja pozicionin e Kreut të Shtetit për t’u marrë me zëra që, s’dëshiroj tani t’i bëj asnjë lloj etiketimi, por që publiku i vlerëson vetë. Unë bëra detyrën time, duke i cuar mesazhin shqiptarëve, e bërë nga Salla ‘Skënderbej’ e Institucionit të Presidencës, ndërkohë që ai fjalim mund të mbahej, edhe duhej të mbahej, pikërisht atje ku ishte simbolika, në Lezhë. Ndërsa pjesën e protokollit, patjetër që e trajton dikush tjetër. Unë dëshiroj t’i shfaqësoj ata që janë marrë me Protokollin e Shtetit, sepse janë djem jashtëzakonisht të mirë, janë profesionistë, por në një orkestër, sigurisht që orkestrimin e fillon dhe e përfundon dirigjenti, pavarësisht nëse ajo lojë e atyre veglave të orkestrës, përfundoi e stonuar. Gjithsesi, unë dëshiroj të them që, aty ku marrin pjesë autoritetet më të larta të shtetit, duke filluar me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin e me radhë, pavarësisht që organizimi bëhet nga një bashki e caktuar, patjetër këtu futet në lojë Protokolli i Shtetit. Dhe loja me protokollin pastaj ishte loja për të fshehur qëllimin real të realizimit të asaj skene. që kurrsesi nuk kishte elementë përbashkimi, por për fat të keq, ndarjeje.

Kam një pyetje të shkurtër, për një përgjigje hipotetike, të shkurtër, ndoshta edhe reale. Zoti Topi, nuk ju shkoi në mendje në metrat e fundit të udhëtimit me veturë ose në kthim, që ju si Kreu i Shtetit, si President i Republikës, pavarësisht nga ajo që ndodhi me Kryetarin e Bashkisë apo dhe me Protokollin e Shtetit, ju të shkonit atje dhe të flisnit fjalimin tuaj. Do të kishte ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme, por nuk mund besoj që t’ju ndiqnit që andej dhe t’ju thonin: ‘Mos u futni këtu se ju nuk jeni për të tilla…’

Jo, jo. Ju nuk jeni informuar mirë, unë nuk kam dalë nga zyra. Natyrisht që janë kthyer pjesa mbështetëse e Institucionit të Presidentit. Unë natyrisht isha bërë gati për t’u nisur. Unë nuk mendoj që meriton më shumë të trajtohet kjo pjesë, se sa ajo që ka ndodhur. Dhe ajo që ka ndodhur sot është mëse e qartë, me përjashtim të atyre që i bëjnë shërbim një politike të caktuar, që sigurisht nuk është politika e bashkimit. Unë besoj që për pjesën tjetër, për shqiptarët gjithçka është e qartë.

Ne përmendëm përpara pak minutash, faktin që juve për t’u bërë President i Republikës, ju është dashur që të jepni dorëheqjen nga Partia Demokratike, sepse kjo është procedura që zhvillohet. Në fakt, ky është edhe morali zakonisht, siç ndodh, por sipas standardeve të sotme të diskutimit brenda Partisë Demokratike dhe për hir të së vërtetës, brenda çdo lloj partie, zoti Topi a e keni tradhtuar ju Partinë Demokratike siç e thotë dhe e thotë dikush vazhdimisht?

Unë mendoj që një personalitet i medias dhe i botës së spektaklit, sikurse jeni ju, duhet të patjetër të rikthejë në vëmendje gjithë retrospektivën, të gjithë historikun e marrëdhënieve. Në prillin e vitit 2008, kur ende nuk kisha mbushur gjashtë muaj në atë pozicion, menjëherë filluan të artikulohen zëra se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm. Pikërisht në prillin e vitit 2008 ka pasur një marrëveshje, e cila sot konsiderohet nga analistët, edhe nga vetë politika, si një marrëveshje jo e ndershme e bërë nga kryetari i mazhorancës dhe nga kryetari i opozitës për ndryshime të forta kushtetuese, pa u konsultuar, pa e bërë debat me konstitucionalistë, por për hir të interesave personale të pushtetit të secilit. Secili mendonte se do të kishte të gjitha pushtetet e mundshme. Natyrisht në një marrëveshje jo të ndershme, dikush doli me të gjitha pushtetet dhe dikush i humbi të gjitha pushtetet. Presidenti, si Kryetar i Shtetit, patjetër edhe si garant i interesave të publikut, e bëri në kohë të ditur atë fenomen që po ndodhte, dhe sot, pas kaq vitesh, patjetër që vërtetohet plotësisht ajo që unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Dhe nuk është aspak e vërtetë që erdhi ky moment për të folur. Unë kam folur në mënyrë konstante. Natyrisht për t’u diferencuar nga të tjerët, që kanë folur ashpër, por në substancë apeli im ka qenë i qartë.

Pra, ne jemi ballkanikë, jemi edhe mesdhetarë dhe herë pas here kemi një dobësi për melodramën apo jo?

Natyrisht, lidhet me traditën, por unë besoj se ne jetojmë sot në një moment kur Shqipëria është vend i NATO-s, kur Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e Evropës, kur standardet e vjetra ballkanike nuk kanë pse na tërheqin. Ne patjetër duhet të orinentohemi drejt Evropës së civilizuar.

Për pak çaste dua t’i jap vlerën që ka, jo domosdoshmërisht shumë më të madhe, një shkëmbimi jo vetëm batutash. Është një shkëmbim doktrinash, është një përballje për të treguar fuqi, natyrisht mes Ekzekutivit dhe Institucionit të Presidentit të Republikës, në rastin konkret midis Kryeministrit Berisha, i cili sot paradite, në një orë të caktuar, kam përshtypjen se ishte 11.39 kur isha përballë mikrofonit dhe e pashë, hodhi një kunj nga ato që atij i pëlqejnë shumë, madje zgjoi edhe shumë të qeshura kam përshtypjen në qeveri. Me sa duket ata kënaqen shumë nga sensi i humorit në raport me fate njerëzish dhe familjarësh. Ai na tha në raport me pronën, por përpara dua t’ju pyes dhe do ta lidh kështu. Përpara disa kohësh ai tha se “Bamiri ka një hall dhe Flamuri, vëllai i vet, doktori i famshëm, do të votonte për mua.” Nuk mund ta thotë, duke e njohur zotin Kryeministër, këtë fare kot dhe rastësisht, jo aq emocionale. A ka një gjë që është diskutuar edhe mes vëllezërve Topi që ka lidhje edhe me pronën, që zgjon një kuriozitet për ta qartësuar, por unë, po të isha në vendin tuaj, do të flisja me ton tani?

Jo! Unë nga kjo studio e nderuar, do t’i bëja prapë një apel, një apel që ai me siguri s’do ta dëgjojë: Që në gazetën “Rilindja Demokratike”, aty ku për pesë numra rresht janë hedhur shpifje pa kufi, jo thjesht për Presidentin, po për familjen, ku bën pjesë edhe im vëlla, shumë i nderuar, të ketë kurajon të hapë e t’i japë hapësirë në faqen e parë të gazetës “Rilindja Demokratike” pikërisht për sqarimin me autor Flamur Topin dhe familjarët e tij, ku i nderuari vëllai im, i cili është personazh publik, i ka bërë një analizë reale, shkencore të gjitha atyre shpifjeve, që vinin pikërisht nga ajo gazetë dhe të vëna në gojën e një të moshuare, besoj të luajtur mendsh, do të thoja, më falni që unë e përdor këtë term sot, e cila, në moshën nëntëdhjetë e katër vjeçare kishte falsifikuar një dokument, që po t’i referohemi atij dokumenti, ajo sot duhet të ishte njëqind e gjashtëdhjetë e pesë vjeçare. Dhe kur një gazetë e nderuar do të thoja, që është gazetë e një partie historike sikurse është Partia Demokratike, vendos e bëhet “Parti e Hankes”, sepse kështu e ka emrin e moshuara, dhe vendos në gojën e saj falsitete për të denigruar familjen Topi, atherë nuk mendoj se mund të ketë argument tjetër për t’i thënë atij njeriu që: “Stop! Mos u fut më tej tek familjet, sepse është bërë zakon që në të gjithë fjalorin e tij të futet nëpër familje, bën diversion midis burrit dhe gruas, midis motrave, midis vëllezërve! Pra, kjo është sjellja më e shëmtuar që është patjetër një inerci e dukshme jo thjesht e një mentaliteti komunist, por edhe e një njeriu të lidhur shpirtërisht me komunizmin, i cili në mënyrë shumë të suksesshme, ka filluar ta bëjë edhe pjesë të kësaj bote të lirë e demokratike ku jetojmë sot.

Përsa i përket asaj që ju thatë, dhe natyrisht unë jam i mirëinformuar në çdo moment, do t’i thoja që nëse nuk e njeh Tiranën dhe nuk dëshiron ta njohësh Tiranën, në rast se nuk ke këshilltarë të aftë për të të orientuar në punë, atëhere do ta marr shumë miqësisht, përdore për t’i treguar se si është konfiguruar Tirana, sepse Tirana nuk është vetëm zyra e Kryeministrisë, por Tirana është shumë e madhe. Ka një popullsi, e cila sa vjen edhe rritet ku popullsia autoktone, i ka mirëpritur në vite dhe këtu është bukuria e këtij qyteti, që sot është gati një milion banorë, ku ka kultura të ndryshme përfaqësuese dhe falë këtij komunikimi qytetar, sot Tirana është një kryeqytet i jetueshëm mirë. Kjo për ta orientuar dhe për t’i thënë jo vetëm ku janë tokat e mia, të paraardhësve të mi. Dhe, unë e di që ai është bërë shumë humorist kohët e fundit, dhe padyshim që gjëja më e dhimbshme është kur të gjithë në kor fillojnë të qeshin nga shakatë, që më kujtojnë personazhin e famshëm të Revolucionit Kulturor kinez: Lej Fenin, por për t’i thënë që familjet e vjetra të Tiranës, vërtetë jetonin në qendër të Tiranës, por të gjitha me radhë kanë pasur toka bujqësore në periferi. Ka qenë një bollëk në Tiranë në atë kohë, të themi të drejtën dhe pikërisht për ta orientuar ekzaktësisht, aty ku përfundonte qyteti dhe është fjala pikërisht për Institutin e Kërkimeve Veterinare, në zonën e “Freskut”, aty fillon Komuna. Edhe sot e kësaj dite është territori administrativ i Komunës. Pra, qyteti kishte truall, ndërsa Komuna kishte tokën bujqësore. Ai e ka një shans për ta njohur terrenin, në rast se, për kaq vite me radhë, ta eliminojë udhëtimin me teleferik, që e bën çdo ditë, duke harruar që kalon në një park kombëtar, sikurse është Parku i Dajti, me shumë familje, me shumë biznese, e që ka imazhin e një rruge që sapo është bombarduar. Pra në vend që të bëjë ironi e të japë një imazh mashtrimi për shqiptarët, duhet të kuptojë që familja Topi, të gjithë paraardhësit janë në tokën e vet. Nëqoftëse dëshirion, t’ia bëjmë me dije se ku i kemi tokat, madje mund t’i dhurojmë edhe një pjesë toke. Le të vijë e të jetojë aty në paqe dhe në harmoni dhe mund t’i japim edhe leksione qytetarie, se si jetohet në harmoni pa bërë sherre.

Ne vimë në momentin e fundit dhe në pyetjen e fundit. Ju, natyrisht e keni deklaruar edhe më përpara, në mënyrë jo eksplicite, që ka shumë opsione pas përfundimit të Presidencës, por tashmë, nuk është një ngjarje e re në Tiranë që pritet të krijohet një parti në të cilën ju do të punoni e të tjera si këto. Kur e mendova se çfarë do t’ju pyes në këtë intervistë, isha me një kolegun tim, të cilin e respektoj shumë, ai bëri një pyetje që m’u duk jashtëzakonisht e mirë për t’ia marrë autorësinë. Ai tha: “Nëqoftëse në një parti të tillë do të vinin të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të pakënaqur nga partitë ekzistuese, si do t’i kënaqë Topi ata”?

Megjithë respektin që kam për ty Adi, unë dëshiroj t’i qëndroj asaj që kam thënë publikisht deri tani: Që deri në fund të mandatit tim, që do të thotë deri në fund të këtij mandati, unë do të jem President i Republikës. Në Tiranë thuhen shumë gjëra, komentohen shumë gjëra, le t’ia lemë kohës, por e sigurtë është që deri në momentin e fundit, unë do të ushtroj të gjitha detyrimet e mia si President i Republikës. Pastaj, natyrisht unë jam njeri i lirë, kam mundësinë për të bërë zgjedhjen time, por në këtë moment unë flas si President i Republikës.