Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 18:12

Tiranë –  Presidenti Bamir Topi theksoi sot, rëndësinë e përmbylljes sa më të shpejtë dhe korrekte të procesit të numërimit të votave që pasqyrojnë shprehjen e qartë të vullnetit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet vendore të 8 majit, në mënyrë që Shqipëria të hedhë edhe një hap tjetër përpara drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Presidenti Topi, priti sot një delegacion parlamentar të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Presidenti vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në fusha të rëndësishme, sidomos atë ndërparlamentar, dhe shprehu besimin se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Vendeve të Ulëta do të rriten e thellohen edhe më tej, në të mirë të dy popujve tanë përmes intensifikimit të dialogut politik.

Në këtë kuadër, Presidenti Topi vuri në dukje se “rritja e bashkëpunimit në fushën e rëndësishme të diplomacisë parlamentare, nxit ndjeshëm dialogun parlamentar dhe forcon institucionet e pavarura”.

Kreu i Shtetit vlerësoi vlerësoi  kontributin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, si dhe përkrahjen e vazhdueshme dhe angazhimin e shtetit hollandez për njohjen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës dhe integrimit të plotë të të gjitha vendeve të rajonit tonë.

Delegacioni parlamentar i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta shprehu përkrahjen dhe mbështetjen për përpjekjet integruese të Shqipërisë në familjen evropiane, “si një perspektivë e qartë në interes edhe të vetë Evropës”.

Gjithashtu, delegacioni parlamentar hollandez vlerësoi lart rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë në rajon, në favor të paqes dhe qëndrueshmërisë së tij afatgjatë me synimin e integrimit të plotë të gjitha vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian.