Lajme Shqip Tuesday, 21 February 2012 02:21

Tiranë- Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi zhvilloi sonte në mbrëmje një mbledhje pune në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm ku merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Sandër Lleshi, Komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral Brigade Viktor Bërdaj, Drejtori i SHIU-t, Kolonel Ylli Zyla dhe ushtarakë të tjerë të lartë.

Gjatë këtij takimi pune, Presidenti Topi u informua me detaje nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Gjunkshi lidhur me situatën më të fundit të Kontigjentit “Eagle 4” në Kandahar të Afganistanit.

Presidenti Topi zhvilloi një bisedë telefonike me Komandantin e Njësisë Speciale “Eagle 4” në Kandahar, Nënkolonel Behar Marën, duke u interesuar me hollësi rreth gjendjes shëndetësore të paqeruajtësit të plagosur, Nënoficerit Aleksandër Peçi. Gjatë bisedës me Nënkolonel Marën, pasi shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e Kapiten Voglit, Komandanti i Përgjithshëm vlerësoi lart herozimin dhe vetëmohimin e paqeruajtësve shqiptarë, të cilët shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në luftë kundër terrorizmit në kuadër të NATO-s.

Në këtë pikë Presidenti Topi u interesua edhe për gjendjen e ushtarakut amerikan të plagosur në të njëjtën kohë me ushtarakët shqiptarë. Presidenti Topi i inkurajoi gjithashtu ushtarakët tanë me mision paqeruajtës në Afganistan, që shërbejnë si partnerë të denjë e besnikë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, duke theksuar se “profesionalizmi dhe trimëria e tyre na bëjnë krenarë” e duke i siguruar se “në këto momente të vështira, ata gëzojnë gjithë mbështetjen e popullit shqiptar”.

Nga ana e tij Nënkoloneli Mara e falenderoi Komandantin e Përgjithshëm për interesimin dhe “që iu gjendet pranë në këto çaste të vështira, duke i mbështetur dhe inkurajuar personalisht dhe institucionalisht” si dhe duke u shprehur se: “fjalët e Presidentit shërbejnë si një forcë nxitëse e frymëzuese për ushtarakët tanë në Afganistan”.

Ngushëllimi për familjen e Feti Voglit

‘’Të nderuar familjarë të Kapiten Feti Voglit,

Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të Kapitenit Vogli si dhe për plagosjen e Nëntetarit Peçi, që të dy ushtarakë shqiptarë të kontigjentit ‘’Eagle 4’’ në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan.

Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni t’ju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm! Më lejoni që si President i Republikës si dhe Komandant i Përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtij heroi të Forcave tona të Armatosura!

Në zemrat dhe kujtesën tonë të përbashkët kombëtare Kapiten Vogli do të mbesë përjetësisht i paharruar për veprën e tij heroike, për vetëmohimin dhe heroizmin e treguar në shërbim dhe në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë në botë, në luftën pakompromis kundër terrorizmit ndërkombëtar krah për krah me partnerët tanë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë.

Me këtë rast, duke dënuar këtë akt të rëndë terrorist e duke kërkuar me vendosmëri ndëshkimin e autorëve, dëshiroj gjithashtu të vlerësoj lart kontributin heroik të të gjithë ushtarakëve shqiptarë, të cilët shërbejnë me misione paqeruajtëse anembanë globit si dhe të inkurajoj e të përgëzoj mbarë Forcat e Armatosura shqiptare për përmbushjen e misionit të tyre të guximshëm e vetëmohues! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!’’ – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.