Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 12:50

Tiranë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar shqiptar, mori pjesë dje në Konferencën e Liderëve, të mbajtur në Universitetin “Ajdën” të Stambollit, me ftesë të Kryetarit të Bordit Drejtues të Universitetit dhe njëkohësisht President i Unionit të Universiteteve Euroaziatike (EURAS), Dr. Mustafa Ajdën.

“Konferenca e Liderëve”, në të cilën ishte i pranishëm dhe ku përshëndeti edhe Kryenegociatori dhe Ministri turk i Bashkimit Evropian, Egemen Baësh, u hap nga Rektorja e Universitetit “Ajdën” të Stambollit, Prof. Dr. Jadigar Izmirli, e cila pasi përshëndeti veçanërisht praninë e Kryetarit të Shtetit shqiptar, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm të promovimit të vlerave universitare e standardeve arsimore akademike.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në ligjëratën me temë “Transformimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit në drejtim të zhvillimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit në fushat arsimore dhe kulturore me Shqipërinë”, vuri në dukje problemet dhe arritjet e transformimit demokratik të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të Evropës Juglindore. Në këtë aspekt, Presidenti Topi nënvizoi se “vende që deri dy dekada më parë jetonin në izolim politik dhe ekonomik, vende që vetëm një dekadë më parë iu dhanë fund luftërave etnike dhe nacionaliste, dhe që sot në pjesën më të madhe të tyre janë anëtare në NATO apo pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, – mbartin në vetvete simbolikën e ndryshimit historik, transformimit të jashtëzakonshëm, sidomos në aspektin politik dhe shoqëror”.

Gjithashtu, Presidenti Topi nxori në pah zhvillimet pozitive të vendeve të tjera të rajonit, duke u ndalur veçanërisht tek Kosova, e cila edhe pse është shteti më i ri në rajon, “ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në funksionimin e saj demokratik dhe kontributin në stabilitetin rajonal” dhe se “Shqipëria krenohet me suksesin e Kosovës, dhe çmon me kënaqësi se pavarësia e saj e ka bërë rajonin më të sigurt dhe ritmet e zhvillimit më të mëdha”.

Në fund të ligjëratës, Presidenti Topi, duke shprehur “interesin dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë aktive në nisma e projekte konkrete bashkëpunimi në të gjitha aspektet e bashkëpunimit kulturor e arsimor”, vlerësoi “frymën e veçantë të miqësisë historike dhe partneritetin strategjik me Turqinë, si një vend mik, me lidhje të forta historike dhe aktuale, një vend dhe një popull, tek i cili kemi gjetur e gjejmë përherë një mik të madh e të sinqertë të popullit dhe të kombit shqiptar”. (LajmeShqip.com)