Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 15:19

Tiranë –  Shqipëria nuk është pjesë e grupit të vendeve më pak të zhvilluara, por ka probleme të ngjashme me këtë grup vendesh, deklaroi Presidenti i Republikes, Bamir Topi, ne Konferencen e 4-t te Kombeve te Bashkuara mbi “Vendet me pak te zhvilluara”, qe po zhvillon punimet ne Stamboll te Turqise, beri te ditur Zyra e Shtypit te Presidences .

“Vendi im ka përkrahur dhe përkrah të gjitha veprimet dhe nismat e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkojnë zhvillimin e qëndrueshëm, prosperitetin dhe mbështetjen e përpjekjeve të vendeve më pak të zhvilluara drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Ne jemi të inkurajuar nga progresi i arritur, në disa fusha të zhvillimit nga këto vende, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve dhe angazhimeve të pranuara ndërkombëtarisht”, tha Topi.

Ai theksoi se, “progresi i bërë në reduktimin e varfërisë në shumicën e vendeve më pak të zhvilluara është i dukshëm, por ne besojmë se krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e prodhimit bujqësor, forcimi i shkollimit dhe mbrojtja sociale mbeten fusha parësore për të gjitha vendet. Shkëmbimi i praktikave më të mira në këtë drejtim do të përbënte një nxitje të vërtetë për të gjitha vendet e interesuara”.

“Vendi im mbështet të gjitha nismat e komunitetit ndërkombëtar në drejtim të mobilizimit të burimeve financiare, të cilat të përkthyera në projekte zhvillimi nga secili vend, duhet të integrojnë veprimet kombëtare për të trajtuar varfërinë, ushqimin, krizën globale financiare dhe ndryshimin e klimës në mënyrë të ndërlidhur”, theksoi Presidenti Topi.

Ne vazhdim te fjales se tij, presidenti shqiptar vuri ne dukje se, “klima dhe energjia janë midis çështjeve më të mëdha të kohës sonë. Ato duhet të qëndrojnë në krye të agjendës sonë ndërkombëtare. Shqipëria e konsideron mjedisin si një çështje vitale dhe është e angazhuar plotësisht të plotësojë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare. Sfida energjetike e Shqipërisë lidhet ngushtësisht me rritjen e ekonomisë, rritjen e popullsisë, ngritjen e standardit të jetesës dhe plotësimin e aspiratës sonë drejt integrimit në familjen evropiane. Për përballimin e këtyre sfidave, në vendin tim janë ndërmarrë një sërë masash, si rritja e eficencës së energjisë, riparimi dhe modernizimi i infrastrukturës energjetike, rritja e burimeve energjetike, duke ruajtur dhe përmirësuar mjedisin, të cilat qëndrojnë në bazën e programit për zhvillimin e vendit. Kështu, një nga objektivat tona është rritja e burimeve energjetike, kryesisht ato të rinovueshme”.

“Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në drejtim të plotësimit të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM). Lufta kundër varfërisë, analfabetizmit, mortalitetit të fëmijëve, ndryshimit të klimës dhe përmirësimit të shëndetit të popullsisë mbeten prioritete të shtetit tonë. Shqipëria është prekur fare pak nga kriza ekonomike dhe financiare e viteve të fundit”, theksoi presidenti Topi.

Ai vuri ne dukje se “vendi im synon të ulë varfërinë dhe po përparon shpejt, nëpërmjet planeve konkrete, në reduktimin e varfërisë absolute dhe ekstreme në vend. Shqipëria në periudhën 2008-10 ka nxjerrë nga kufiri i varfërisë rreth 400 mijë shqiptarë. Ne besojmë se antidoti absolut është punësimi dhe më tej arsimimi”.

“Ne ndjekim me shumë motivim një politikë moderacioni në rajon, duke vrojtuar me interes situatën politike dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj edhe faktin se me këto sfida të përbashkëta, po përballet sot dhe Republika e re e Kosovës. Miratimi i rezolutës konsensuale në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës sonë, që mirëpriti mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së saj, e mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial. Ndaj, tani është koha që kjo Republikë e re të përkrahet, mbështetet dhe inkurajohet drejt rrugës së saj të zhvillimit. Me këtë rast, dëshiroj t’u bëj një thirrje të hapur të gjithë atyre vendeve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës për ta njohur atë. Sot, Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga 75 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti Topi.