Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 20:32

Pogradec-Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka replikuar me ironi ndaj deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili tha një ditë më parë se PD kurrësesi nuk do ta rikandidonte atë në postin e kreut të shtetit dhe se madje Topi duhet të japë dorëheqjen pasi presidenca nuk mund të jetë një parti politike.

I pranishëm në ditën e në festën e hapjes së buteve të verës në Pogradec, presidenti Bamir Topi, tha se në poltikë edhe në futboll preferon të luajë në qendër.

“Jam lojtar i qendrës. Edhe kur kam luajtur futboll kam luajtur ne qendër. Të mos e ngushtojmë zonën e lojës. Ti japim jetës dimension real dhe të mos ia lëmë vetëm politikës”, është shprehur Presidenti Topi.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbrëmje, se “në asnjë rast dhe rrethanë maxhoranca nuk do të rikandidonte Bamir Topin në postin e Presidentit të Republikës.

Përsa i përket marrëdhënieve të Presidentit Topi me maxhorancën, Berisha tha se, “në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për institucionin qendror të shtetit, se sa deklarimi i Presidentit në detyrë, për të krijuar parti”.

 “Nëse flitet për dinjitet shtetëror, kjo është e rëndë, sepse Presidenti qëndron qartësisht jashtë forcave politike dhe presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike në një Republikë Parlamentare. Ai ka një rrugë, të japë dorëheqjen dhe pastaj të krijojë parti politike, meqënëse maxhoranca e cila e kandidoi ka deklaruar publikisht se nuk do ta rikandidojë. Kjo është e prerë” tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e vetë në zgjedhjet presidenciale të 2012″, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për një kandidim të tij për këtë post.

Ai tha se Fatos Nano është lideri i së majtës dhe ai nuk mund të jetë kandidati i propozuar nga Partia Demokratike për postin e Presidentit.

Sipas tij “PD ka të drejtën të kandidoj çdo drejtues të saj për President Republike”. “PD ka një numër të madh personalitetesh që mund ti promovojë në atë post dhe nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)

.