Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 14:42

Tiranë – Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi u zyrtarizua sot si keu i ri i Partisë Fryma e Re Demokratike (FRD).

Deputeti dhe njëkohësisht kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa u shpreh se, forumet e partisë kanë marrë vendimin që t`ia besojnë drejtimin e FRD-së ish-kreut të shtetit Bamir Topi, deri në mbledhjen e Kuvenditë të ardhshëm Kombëtar.

“FRD mori vendimin që t’i besoj drejtimin e kësaj partie, zotit Bamir Topi deri në Kuvendin e ardhshëm Kombëtar, si një angazhim më shumë për të. Prania e tij në Frymën e Re Demokratike është një vlerë e shtuar, i cili iu bashkua projektit tonë për të dhënë kontributin e tij për një Shqipëri demokratike”, u shpreh Oketa.

“Grupi drejtues ka zhvilluar disa takime dhe në mbledhjen e fundit mori vendim politik, kolegët miratuan propozimin tim për t`i besuar drejtimin e FRD deri në kuvendin e ardhshëm, Bamir Topit. Ky nuk mund të konsiderohet privilegj, por angazhim dhe përgjegjësi më shumë”, tha Oketa.

Ndërsa ish-Presidenti Topi u shpreh se rikthehet në politikën aktive me synim arritjen e standardeve të demokracisë. “Në përputhje me deklaratat e mia të mëparshme, dua të shpreh vendimin tim politik për t’u bërë pjesë aktive politike e FRD-së për të bërë më të mirën e mundshme në shërbim të qytetarëve. Për 5 vite pata fatin që të përfaqësojë gjithë qytetarët. Unë rikthehem në politikën aktive me një përvojë shumë herë më të madhe politike, me synimet e qarta në arritjen e atyre standarteve të demokracisë”, tha Topi.

Ai shtoi se tashmë qytetarët janë të zhgënjyer nga politika dhe kërkojnë ndryshim. “Qytetarët me të drejtë kërkojnë një ndryshim pozitiv për veten, familjen dhe për vendin. FRD-ja ka përqëllim këtë ndyshim që s`ka të bëjë vetëm me ndryshimin e jetës së qytetarëve por me ndryshimin e sjelljes politike”, nënvizoi Topi.

Topi gjithashtu u shpreh se nuk do të ketë koalicion me dy partitë e mëdha politike në zgjedhjet e 2013-ës. “Ne i konsiderojmë tashmë parti të vjetra të një trazicioni të mundimshëm në Shqipëri. Ne përjashtojmë në mënyrë absolute ndonëse politika ka një fjalë “kur mos thuaj kurrë”, të paktën për atë mendim që ne mendojmë sot , në zgjedhjet e 2013-ës nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike përfshirë PD-në dhe PS-në”, tha kreu i FRD-së, Bamir Topi. (LajmeShqip.com)