Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 17:32

Tiranë – “Presidenti  Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike”, thuhet në deklaratën e publikuar sot në faqen zyrtare të presidencës, ku çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, cilësohet “e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”.

Drejtoria e Informimit Publik e Presidentit reagon lidhur me komentet e sotme politike të bëra nga ana e Kryeministrit Berisha në konferencën e shtypit për ngjarjet në Kosovë, mbi pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës.

“Përgjatë muajve të fundit, Presidenti Topi ka qenë objekt i sulmeve të tilla të padenja dhe denigruese, por me përgjegjësinë për nevojën e stabilitetit demokratik në vend, ai ka refuzuar të bëhet pjesë e kësaj loje, e cila ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade. Për Presidentin, gjithnjë ka mbizotëruar prioriteti publik, nevoja që politika shqiptare të reflektojë nga gabimet e saj të përsëritura dhe me pasoja direkte për interesat kushtetuese dhe kombëtare të qytetarëve tanë”.

Në reagimin e kreut të shtetit theksohet se, “në kohën kur Presidenti, ashtu si shumica e qytetarëve tanë dhe vetë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë e janë në pritje të këtij reflektimi politik dhe masave konkrete, fatkeqësisht sjellja politike mbetet e njëjtë. Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqena, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në BE”.

Presidenti Topi ka refuzuar dhe refuzon të bëhet pjesë e këtij debati shterpë e të inskenuar, dhe siç e ka deklaruar edhe më parë, votimi i tij më 8 maj ka qenë korrekt.

“Çdo tentativë për intepretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave si dhe me skenarët e parapërgatitur nga autorë të këtyre inskenimeve”, nënvizohet më tej në njoftimin për mediat.

Lidhur me debatin mbi qëndrimin e Presidentit për nevojën ose jo të ndryshimeve kushtetuese, Presidenti Topi deklaron se “nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij debati dhe se qëndrimet e tij i ka bërë të njohura në kohë, ditë përpara votimit parlamentar të 21 prillit 2008, kur interesat politike të momentit dominuan nevojën për institucione funksionale e të qëndrueshme demokratike, të bazuara në parimin kushtetues të ndarjes dhe të balancës së pushteteve”.