Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 14:27

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi sot se, “Kosova dhe Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e Bashkimit Europian në një të ardhme të afërt”, ndërsa theksoi nevojën e një axhende të përbashkët bashkëpunimi.

“Bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë në të gjitha planet dhe institucionet dhe jam i bindur që kjo, do të bëjë të mundur që dhe Kosova të ketë reputacionin në të gjitha përpjekjet e  përbashkëta që të njihet nga sa më shumë shtete dhe të afrohen në atë vizion, që Shqipëria dhe Kosova të jenë pjesë e BE-së”, tha Presidenti Topi gjatë  konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin kosovar Behgjet Pacolli, i cili nisi sot një vizitë zyrtare dy-ditore në Tiranë.
Presidenti Topi shprehu nevojën për një vizion të qartë në bashkëpunimin mes dy vendeve, por dhe në nivel rajonal, pasi e ardhmja e tyre është rrugën euroatlantike. 
“Ne rikonfirmuam vullnetin që Shqipëria dhe Kosova të rrisin jo vetëm dimensionin e komunikimit, por dhe të trajtojnë tema të ndjeshme përtej bashkëpunimit ekonomik dypalësh, si raportet në fushën e arsimit dhe edukimit”, tha Topi.
Ai informoi se në bisedimet me homologun kosovar u diskutua dhe për Rrugën e Kombit, si një element infrastrukturor i jashtëzakonshëm që ka bërë të mundur të thyhet izolimi shekullor. 
“Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rrugë për lëvizjen e njerëzve, por dhe të malllrave. Ajo duhet të jetë një mundësi e madhe komunikimi për të gjitha aspiratat tona, ku dimensioni i lirisë është i shprehur në mënyrë të qartë”, theksoi Presidenti shqiptar.
Me këtë rast, Topi uroi që, arritja e shqiptarëve për lëvizjen e lirë të bëhet sa më shpejt realitet dhe për popullin e Kosovës. 
“Lëvizja e lirë të bëhet e mundur sa më shpejt edhe për kosovarët, të cilët nuk mund të mbesin të izoluar dhe mendoj se ky është interesi dhe i partnerëve tanë europianë”, theksoi Presidenti shqiptar.
Lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, Topi tha se ato “duhet të zhvillohen në respekt të sovranitetit të të dy vendeve respektive”.

 

PACOLLI: BISEDIMET ME SERBINË JANË SHUMË TË RËNDËSISHME PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS

“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë politike të Kosovës”, tha sot, në Tiranë, Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili siguroi se “asnjëherë nuk do të bisedohet për statusin, integritetin apo për kufijtë e vendit”.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Bamir Topi, kreu i shtetit kosovar theksoi rëndësinë e vizitës të tij në vendin tonë, pikërisht në momentin delikat në të cilën ndodhet sot Kosova.
“Kosova del nga një vakum i gjatë institucional. Pas formimit të qeverisë, institucionet kosovare filluan të ballafaqohen me sfida shumë të rëndësishme. Ne duhet të punojmë për krijimin e një atmosfere të volitshme ndërkombëtare, por pse jo edhe të përmirësojmë imazhin e dëmtuar me qëllim nga ndokush, ose edhe nga mospërgjegjësia e përfaqësuesve institucional në të kaluarën”, tha Pacolli. 
Duke u ndalur te bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Pacolli tha se “ato janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë politike të Kosovës”. 
“Nuk mundet që Kosova të ketë mbi 65 për qind të kufijve të saj të blinduar dhe të mbyllur. Kosova nuk mundet të vuajë nga bandat kriminale që veprojnë në territorin e saj, ndaj dhe ne duhet të bisedojmë me fqinjin tonë të veriut, sepse humbësi më i madh ka qenë Kosova. Serbët kur u larguan nga Kosova, morën çdo gjë me vete paratë, pensonionet tona, shkatërruan dhe vodhën fabrikat tona, ndaj ne do kërkojmë llogari, por kjo mund të bëhet me dialog dhe jo me dhunë”, tha Pacolli.
Duke garantuar se “asnjëherë nuk do të bisedohet për statusin, integritetin apo për kufijtë e Kosovës, por do të bisedohet çdo gjë që konsiderohet e nevojshme për lehtësimnin e jetës së qytetarëve të Kosovës”, Pacolli tha se “ndihma logjistike apo praktike e Shqipërisë në këto bisedime është e nevojshme”. 
Lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, Pacolli tha se “Kosova mirëpret ndihmën e Shqipërisë për njohjen e mëtejshme të saj në arenën ndërkombëtare, por edhe për çështje të tjera që i shërbejnë konsolidimit të shtetit të ri”.
Presidenti i Kosovës informoi se do të intesifikohen konktaktet dypalëshe dhe do të hiqen të gjitha barrierat për të siguruar lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, ideve dhe kapitalit mes dy vendeve. 
“Ne duhet të bisedojmë për tarifat doganore që ato të mos ekzistojnë për shkëmbimin e prodhimeve tona. Nuk do të kufizohemi vetëm në lëvizjen e lirë të mallrave, por do të shikojmë edhe mundësinë për unifikimin e teksteve shkollore”, tha Pacolli. 
I pyetur nëse ky propozim i hap rrugën një bashkimi të mundshëm federal mes Shqipërisë dhe Kosovës, Pacolli tha se “bashkëpunimi mes dy vendeve nuk është asgjë tjetër përveç asaj që kërkohet nga bashkësia europiane”.
“Ne kemi shembullin shumë të mirë të mekanizmit mbi të cilin funksionon bashkëpunimi në bashkësinë europiane”, tha Pacolli.
Ai kërkoi ndihmën e Shqipërisë në mënyrë që ushtarët dhe oficerët e Kosovës të shkollohen në akademitë e NATO-s dhe të jetë pjesë e paqeruajtësve, duke u rreshtuar përkrahë Shqipërisë në këto misione.