Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 10:54

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të publikuar të enjten, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të meshtarit katolik, Dom Simon Jubanit, i cili kremtoi meshën e parë publike më 4 nëntor 1990 pas një periudhe gati çerekshekullore, gjatë së cilës praktikimi i fesë në vendin tonë ishte i ndaluar nga regjimi diktatorial.

“Me hidhërim të madh mësova lajmin e keq se Dom Simoni u nda prej nesh! Në këtë ditë të trishtuar, shembulli i këtij martiri të kishës katolike, i këtij burri të paepur që vuajti në burgjet e diktaturës për shkak të ndjenjave fetare, bindjeve dhe idealeve të tij për liri e demokraci, i këtij kleriku të përkushtuar që ringjalli shpresën, dashurinë e besimin për Zotin në zemrat dhe mendjet e mbarë shqiptarëve, jo vetëm të besimtarëve katolikë, na bën të përulemi me respekt para jetës dhe veprës së tij unikale”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Kreut të Shtetit.

“Dom Simon Jubani, me zjarrin e dashurisë për Zotin dhe në emër të ringjalljes shpirtërore të mbarë shqiptarëve, i rezistoi me stoicizëm diktaturës së pashpirt komuniste dhe me meshën e parë të kremtuar në Varret e Rrmajt në Shkodër, më 4 nëntor 1990, do të mbetet përjetësisht i gjallë e i paharruar në kujtesën historike të popullit shqiptar”, përfundon mesazhi i Presidentit.