Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 12:14

Tiranë (PLOTESUAR 27 prill, 13:30)- Partia Socialiste, me anë të një mesazhi, shprehu sot dhimbje për vdekjen tragjike të publicistit Ardian Klosi, duke e konsideruar humbje për botën shqiptare të fjalës së lirë.

“Duke ngushëlluar gruan, vajzat, motrat, të afërmit dhe miqtë e Ardian Klosit, PS ndjen dhimbje të thellë për humbjen tragjike të këtij njeriu mendjendritur e shqiptari të mirë. Kjo është një humbje e madhe për botën shqiptare të fjalës së lirë, për shoqërinë civile dhe për kulturën bashkëkohore të kombit tonë”, citohet mesazhi i PS-së.

“Ardian Klosi krijoi një vlerë të çmuar me shembullin e vet të intelektualit të angazhuar në përpjekjet për demokraci e drejtësi shoqërore dhe për një Shqipëri të mbrojtur në bukuritë e në pasuritë e saj. Ai do të mbahet mend nga bashkëkohësit si një qytetar i paepur në betejat civile kundër rrënimeve mjedisore, si edhe në angazhimet në vijë të parë për të bërë të dëgjohet zëri i pavarur i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit”, vijon mesazhi. (LajmeShqip.com)

***********************

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përmes një mesazhi të publikuar të premten, shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohëshme të përkthyesit, kritikut letrar, publicistit dhe aktivistit të shquar, Ardian Klosi.

“Largimi i parakohshëm nga jeta e shkrimtarit, analistit letrar, përkthyesit, publicistit dhe aktivistit të njohur publik të shoqërisë civile është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, të afërmit, por dhe për mbarë shoqërinë tonë, e cila sot më tepër se kurrë ka nevojë për intelektualë të mirëfilltë dhe zëra të pavarur e të guximshëm që marrin përsipër të kryejnë misione altruiste në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Në mesazh Presidenti shpreh dhe vlerësimin personal dhe institucional për përkushtimin njerëzor e profesional; veprën artistike dhe jetën aktive e shoqërore të Ardian Klosit. (LajmeShqip.com)