Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 14:59

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi të martën një takim pune me Kreun e Prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth.

Në këtë takim pune, Kreu i Shtetit shqiptar, duke diskutuar për situatën paszgjedhore në vendin tonë, theksoi “nevojën e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me qetësi nga të gjitha palët të gjykimit përfundimtar, të paanshëm e të pandikuar politikisht nga ana e institucioneve të pavarura ligjore përkatëse, në këtë rast të Kolegjit Zgjedhor, që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë proces të stërzgjatur.”

Në këtë pikë, Presidenti Topi dhe Ambasadori Ëollfarth vunë në pah nevojën për nisjen sa më shpejt të punës me konsensus dhe dialog ndërpartiak për reformimin e kodit zgjedhor në fuqi dhe përmirësimin e mangësive të tij aktuale.

Ambasadori Wollfarth shprehu mbështetjen e vendosur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij të vazhdueshme që bëjnë thirrje për respektimin e shtetit të së drejtës dhe ligjeve në fuqi, duke theksuar nevojën e rivendosjes së dialogut institucional e funksional demokratik.

Presidenti i Republikës dhe Ambasadori i OSBE-së, duke pasur parasysh aspiratat ende të papërmbushura integruese evropiane të mbarë popullit shqiptar, ndanë të njëjtin shqetësimin përsa i përket mosshpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore, duke vënë në dukje se “në këto momente duhet të funksionojë vetëm ligji dhe shteti i së drejtës në mënyrë që të zbatohen standardet e vërteta të drejtësisë e të demokracisë më të konsoliduar perëndimore.”