Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 12:34

Tiranë – Presidenti Bamir Topi vlerësoi sot kontributin e çmuar të Këshillit të Evropës në Shqipëri, veçanërisht në konsolidimin e institucioneve shtetërore, forcimin e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë parlamentare, si dhe në respektimin e mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Kreu i Shtetit priti sot Drejtoren e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani, e cila shoqërohej nga Shefi i ri i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marko Lajdeker.

Topi shprehu mirënjohjen për “mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme dhe aq të nevojshme që kjo organizatë e rëndësishme politike i ka dhënë e vazhdon t’i japë vendit tonë, në realizimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë për të përmbushur kriteret e kërkuara për anëtarësim në familjen e madhe e evropiane”.

Më tej, Presidenti Topi përshkroi ecurinë e zgjedhjeve vendore të 8 majit, veçanërisht të situatës paszgjedhore, si dhe u ndal në rëndësinë e përmbylljes sa më shpejt dhe sipas standardeve demokratike, korrekte e transparente të procesit të numërimit të votave.

Ndërsa, Drejtoreshaa e Drejtorisë së Këshillit Politik dhe Bashkëpunimit në Këshillin e Evropës, Klaudia Luçiani e vlerësoi kontributin e efektshëm të Presidentit Topi, për ekuilibrimin e jetës politike dhe bashkëpunimin e frytshëm me institucionet shtetërore.

Ajo siguroi se Këshilli i Evropës do të punojë pa u kursyer me institucionet shqiptare, në drejtim të konsolidimit të demokracisë, të përmirësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor elektoral, bashkëpunimit transparent, profesional dhe efektiv me institucionet shqiptare, në kuadër të përmbushjes së standardeve të duhura integruese për në Bashkimin Evropian.