Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 14:18

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ndjekur me shqetesim situatën e krijuar në Veri të Kosovës, rritjen e tensionit dhe aktet e dhunës, me pasojë humbjen e jetës së anëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymberi për humbjen e pazëvëndesueshme të të dashurit të tyre dhe Policisë së Kosovës për humbjen e kolegut të rënë në krye të detyrës.

Presidenti Topi vlerëson se Kosova është tashmë një realitet i njohur boterisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i paprekshëm. Ai dënon aktet e njëanshme të dhunës, duke i konsideruar ato krejtesisht të panevojshme dhe beson shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthim të normalitetit afatgjatë.

Presidenti i Republikës mbështet dhe inkurajon vazhdimin e dialogut institucional të iniciuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar ate si rruga më e mirë për zgjidhjen e problematikave reciproke, si dhe dhenien e kontributit konkret për forcimin e paqes e stabilitetit në përputhje me aspiratat e të gjithë rajonit për integrimin e plotë euroatlantik.