Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 20:24

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi sot mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë në rrugën e integrimit drejt familjes evropiane.

Gjatë takimit me zv/kryetarin e Parlamentit austriak, Fric Nojgebauer, Topi theksoi rëndësinë e integrimit të të gjitha vendeve të rajonit Ballkanik në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Shtetit vlerësoi diplomacinë parlamentare, si një fushë të rëndësishme bashkëpunimi, si dhe shprehu besimin që bashkëpunimi edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë si ekonomia, shkëmbimet tregtare, turizmi, do t’i shërbenin rritjes së ndërveprimit të gjithanshëm dypalësh.

Nga ana e tij, zv/kryetari i Parlamentit austriak, Fric Nojgebauer, duke vlerësuar arritjet e Shqipërisë dhe bashkëpunimin shumë të mirë të deritanishëm mes dy vendeve, siguroi për vullnetin e Austrisë dhe institucioneve të saj për të vazhduar mbështetjen e fuqishme në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, zoti Nojgebauer, duke vlerësuar rolin moderator dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon, theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të ishte i plotë pa integrimin në të jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit.