Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 19:58

Në përgjigje të deklaratës së sotme të deputetëve demokratë, anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në të cilën i kërkohet Presidentit të Republikës, që çdo propozim që kërkon miratimin e Kuvendit duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Presidenca ka sqarura se: “Presidenti i Republikës gjatë gjithë veprimtarisë së tij ka qenë konsekuent në zbatim të kompetencave të tij e në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk është gjendur nga Gjykata Kushtetuese në kundërshtim me këto dispozita”.

 

Më tej në deklaratën për shtyp të zyrës së presidencës thuhet se “vlerësojmë se Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese janë mjaft të qarta në përcaktimin e kompetencave të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë për ushtrimin e detyrimeve të tyre. Megjithatë sqarojmë opinionin publik më konkretisht se: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 2 datë 19.01.2005 në tërësinë e tij i është përgjigjur kërkesës së paraqitur para saj se cila është përgjegjësia, roli dhe pozicioni i Presidentit të Republikës dhe i Kuvendit të Shqipërisë në rastet e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë”.

 

Më tej në sqarimin publik të presidencës thuahet se “ky vendim ka përcaktuar në pjesën arsyetuese të tij se të dy institucionet, si Presidenti i Republikës ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë kanë përgjegjësi dhe rol të barabartë në rastet e emërimeve të tilla.Asnjë nga institucionet nuk mund të ketë epërsi në vendimmarrjet e veta, pasi të tilla emërime kërkojnë bashkëpunim midis institucioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk bën fjalë për konsultime paraprake midis institucioneve, por për bashkëpunim institucional. Në vlerësimin tonë, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka parasysh faktin se emërime të tilla nuk mund të bëhen vetëm nga njëri institucion dhe asnjëri prej të dy institucioneve nuk ka peshë apo rol më të madh në miratimin e tyre. Por, të dy institucionet, jo vetëm që kanë pozicionin e tyre kushtetues në ushtrimin e kompetencave të tyre, por çdo vendimmarrje e tyre, duhet të jetë e pavarur nga ndërhyrjet paraprake të njëri–tjetrit”.

”Ne gjykojmë se emërime të tilla nuk mund të kërkojnë konsultime paraprake, jo vetëm sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e kërkon, diçka të tillë, por edhe sepse parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve presupozon respektim të kompetencave të secilit institucion dhe jo konsultim paraprak. Ky është edhe mendimi i anëtarëve të Komisionit të Venecias në Opinionin e datës 7 dhjetor 2004, ku thuhet se: Kërkesa për dhënien e pëlqimit nga Kuvendi, nuk do të thotë një ndërhyrje paraprake të Kuvendit në zgjedhjet e Presidentit, por do të thotë se Kuvendi ka kompetencën për dhënien ose jo të pëlqimit. Një debat i hapur i Kuvendit mbi dekretet e Presidentit të Republikës është i rëndësishëm, për t’i dhënë Presidentit informacionin e nevojshëm për arsyet e refuzimit të dhënies së pëlqimit, arsye të cilat do ta lejonin Presidentin, që në të ardhmen të dërgojë në Kuvend kandidatura të pranueshme nga Kuvendi”- përfundon sqarimin e vet zyra e shtypit e Presidentit të Repubikës.