Lajme Shqip Thursday, 03 May 2012 17:47

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle, gjatë një takimi mesditën e sotme, ndanë mendimin se procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë sa më transparent dhe konsensual, pasi shqiptarët meritojnë një figurë presidenciale me integritet të lartë, që të jetë mbi partitë politike dhe të shërbejë si simbol i bashkimit kombëtar.

Në takim, Kreu i shtetit tha se procesi i integrimit në BE mbetet përparësia më e rëndësishme e vendit dhe e popullit tonë, pasi ai kërkon përmbushjen e kuadrit të nevojshëm të reformave për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm politik dhe ekonomik në Shqipëri.

Gjatë takimit, Presidenti Topi dhe Komisioneri Fyle ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një klime të qëndrueshme politike e të vazhdimësisë së dialogut politik mes palëve dhe vullnetit të përbashkët maxhorancë-opozitë për të ecur përpara me synim arritjen e statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti.

Komisioneri Fyle theksoi se BE po bën vlerësimet mbi plotësimin e standardeve integruese të Shqipërisë, për të përcjellë tek vendet anëtare të BE-së një mesazh pozitiv për progresin e vendit në adresimin e 12 prioriteteve, sidomos në drejtim të zbatimit të shtetit të së drejtës, të ruajtjes së lirive thelbësore të njeriut, të forcimit të demokracisë, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.

Komisioneri Fyle vuri në dukje gjithashtu se në këtë moment e vit të rëndësishëm për Shqipërinë aktorët politikë shqiptarë duhet të sigurojnë një dialog sa më konstruktiv mes tyre, të zhvillojnë më tej bashkëpunimin politik dhe domosdoshmërinë e instalimit të një kulture e mentaliteti bashkëkohor politik, duke punuar intensivisht për të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë. (LajmeShqip.com)