Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:26

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla, si dhe drejtues të institucioneve homologe të shteteve anëtarë të “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit”.

Kreu i Shtetit, vlerësoi punën e ILDKP-së dhe institucioneve homologe europianë në evidentimin dhe luftimin e fenomenit negativ të korrupsionit, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit rigoroz të ligjit nga këto autoritete përgjegjëse edhe për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.

Topi vlerësoi veprimtarinë e ILDKP-së, e cila në bashkëpunim me institucione të tjera, me sistemin bankar dhe median, ka kontribuar në gjetjen e instrumentave e mjeteve për të shmangur sa më shumë konfliktin e interesave duke goditur në kohë rastet e abuzimit me pushtetin publik të zyrtarëve të administratës shtetërore, rastet e krimit ekonomik apo dhe rastet e ndërhyrjes e përfshirjes së faktorëve e aktorëve politikë në çështje korruptive.

“Lufta kundër korrupsionit në vendin tonë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por dhe nga më të vështirat, për ta luftuar në të gjitha format e saj me synim realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë, por dhe të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik në BE”, u shpreh Presidenti.

Gjithashtu, ai theksoi se “në një kohë kur lufta kundër korrupsionit është çështje themelore në aktivitetin publik dhe politik edhe të vendeve të rajonit, Shqipëria dhe institucionet e saj do të arrijnë të përballojnë  vështirësitë në luftën me pengesa kundër këtij fenomeni, për të arritur nivelet e standardet demokratike të vendeve të zhvilluara evropiane”, duke shprehur dhe garantuar të pranishmit për të gjithë inkurajimin e mbështetjen institucionale në drejtim të luftës dhe çrrënjosjes së këtij fenomeni negativ.

Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla duke vënë në dukje bashkëpunimin e vyer me partnerët ndërkombëtarë si dhe punën efikase të bërë deri më tani nga ILDKP, në cilësinë e drejtuesit të “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit,” shprehu bindjen se nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë faktorëve publikë, si edhe prezantimit të transparencës në nivele maksimale, ILDKP-ja do të jetë e aftë të realizojë qëllimin kryesor, forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.