Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 14:11

  Tiranë- Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino, morën pjesë të shtunën në mbrëmje në veprimtarinë artistiko-kulturore “Shqipëria – Njëzet vjet më pas”, të organizuar në Sallën e Koncerteve të Konservatorit Shtetëror “Xhuzepe Verdi” të Torinos.

Zyra për shtyp e Presidencës bën të ditur sot se, në një atmosferë tepër të ngrohtë e emocionuese, Presidenti Topi iu drejtua të gjithë bashkëkombësve tanë si dhe autoriteteve italiane të pranishme në këtë veprimtari artistiko-kulturore, duke thënë se, “Miqësia midis popullit shqiptar dhe atij italian është sa e vjetër aq dhe e mbushur me një respekt reciprok për historinë e lashtë të dy vendeve tona.

Këtë vit, populli italian festoi 150-vjetorin e Bashkimit të Italisë, kurse populli shqiptar do të festojë vitin që vjen jubileun e madh, 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Pra, nuk është e rastit që ky aktivitet sot zhvillohet në prag të festës së madhe për gjithë shqiptarët kudo në botë, në ditën e 28 Nëntorit, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.”

Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen, nderimin dhe gëzimin që ndodhej në Torino me ftesë të Kryebashkiakut Fasino për të përkujtuar njëzetvjetorin e fillimit të emigracionit modern të shqiptarëve, theksoi “se së bashku po festojmë një ngjarje që nuk u takon vetëm shqiptarëve, por edhe italianëve.”

” Gjërat kanë ndryshuar për mirë”-tha Presidenti Topi, duke vënë dukje se, sot Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, por falë edhe bashkëatdhetarëve tanë, të cilët kanë shkuar në emigracion dhe asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre. 

Në vijim, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë së bashku me të pranishmit ndoqën koncertin e pianistes virtuoze shqiptare, Elda Laro me pjesë të zgjedhura nga kompozitorë të shquar të muzikës klasike italiane, botërore, por edhe asaj shqiptare