Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 15:34

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot një takim pune me Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzinska, vendi i së cilës sapo ka marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi.

Presidenti Topi nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është aspirata e thellë e popullit shqiptar dhe objektivi parësor i politikës së jashtme shqiptare.

Në përmbushje të kësaj aspirate, Presidenti i Republikës vuri në dukje angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për bashkëpunim të plotë me Presidencën polake dhe delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë.

“Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe ne kemi shpresë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura e të kemi kapërcyer ngërçin e stërzgjatur politik, duke rivendosur dialogun funksional institucional e duke respektuar ligjet në fuqi dhe institucionet e pavarura kushtetuese”, u shpreh Presidenti Topi.

Ambasadorja polake, Irena Tatarzinska, i parashtroi Presidentit Topi përparësitë e programit të presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, ku më kryesoret do të jenë vazhdimësia e procesit të zgjerimit, si dhe mbështetja dhe ndihmesa ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në gjirin e familjes evropiane.

Tatarzinska theksoi se “Polonia do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë të palëkundur Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke uruar që vendi të arrijë ta fitojë sa më shpejt statusin e vendit kandidat”.