Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:52

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një takimi sot me përfaqësues shqiptarë të Organizatës Botërore kundër korrupsionit “Transparency International” shprehu nevojën e shmangies së dhunës gjatë fushatës elektorale, ndërsa theksoi se përgjegjësia për këtë bie mbi partitë politike.

Gjatë takimit Presidenti Topi duke folur për gjendjen aktuale politike në vend dhe fushatën e zgjedhjeve vendore nënvizoi “rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës në përputhje dhe zbatim të ligjit”.

Ai apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”.

Në këtë pikë Kreu i Shtetit theksoi “nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.”

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e “Transparency International Albania”, u shprehën për realizimin e zgjedhjeve vendore të drejta e të qeta.

Ndërkaq, nisur nga raportet tashmë të hartuara prej tyre mbi gjendjen e financimeve të partive politike, përfaqësuesit e TIA-s vlerësuan ndryshimet në ligjin mbi partitë politike kryesisht për financimet, por theksuan se këto ndryshime ende nuk japin garancinë e transparencës së kërkuar për burimet financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin shumëvjeçar të Organizatës globale “Transparency International” si një rrjet që tenton të nxisë qeveritë në zbatimin e reformave antikorrupsion, si dhe misionin që ky organizëm vijon të kryejë në hulumtimin dhe evidentimin e fenomeneve korruptive në vende të ndryshme të globit.