Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 16:51

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, do të zhvillojë një vizitë pune në Itali, ku do të pritet nga drejtuesit më të lartë të Universitetit të Bolonjës dhe do te takohet edhe me studentë shqiptarë që studiojnë atje.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në kuadër të kësaj vizite, Kreu i shtetit shqiptar do të mbajë një ligjëratë ne auditorin “Aula Manja” të Universitetit të Bolonjës, lidhur me sfidat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rolin e saj në rajonin e Ballkanit Perendimor, si dhe rëndësinë që kanë politikat bujqësore e rurale në rrugën e integrimit të vëndeve të Ballkanit, e veçanërisht të Shqipërisë drejt Evropës.

Gjithashtu, Presidenti Topi do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të serrave të Fakultetit të Agronomisë në Bolonja, si dhe do të vizitojë disa vende të rëndësishme të zhvillimit të agroturizmit italian, kryesisht të kultivimit të vreshtave, në Siena dhe në zonat rurale përrreth saj.