Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 13:04

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të shtunën me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë të cilit diskutuan për situatën politike në vendin tonë, për kapërcimin e ngërçit politik dhe domosdoshmërinë e realizimit të reformave jetësore për integrimin evropian të Shqipërisë.
Kreu i shtetit, pasi vlerësoi deklaratat më të fundit të përfaqësuesit diplomatik të Brukselit në Tiranë, theksoi se “në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues evropian të vendit dhe do të shërbenin si provë pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare.”
Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, vuri në dukje faktin se “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë e kërkuara nga Evropa e Bashkuar, prandaj për të është shumë e rëndësishme që si maxhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva evropiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar.”
Gjithsesi, theksoi Ambasadori Sequi, BE dhe institucionet e saj mbeten të gatshme jo vetëm të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme dhe gjetjes së vullnetit të munguar, por edhe t’i ripërsërisin me forcë kritikat dhe vërejtjet e tyre, me synim që klasa politike shqiptare t’i rikthehet përparësisë së axhendës integruese evropiane.