Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 20:12

Ohër – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov e priti sot presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në kuadër të takimit që Presidentët e katër vendeve fqinjë të rajonit po zhvillojnë në Ohër, me ftesë të Presidentit të Maqedonisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës shqiptare, duke shprehur vlerësimin e veçantë për organizimin e këtij takimi, Topi vuri në pah bashkëpunimin shumë të mirë me Maqedoninë në kuadër të angazhimit në nisma të përbashkëta për zhvillimin e rajonit dhe realizimit të apiratave integruese.

“Nevojitet një thellim i këtij bashkëpunimi, duke i dhënë një prioritet të veçantë bashkëpunimit ekonomik”, tha Topi. Duke shprehur mbështetjen pa hezitim të Republikës së Maqedonisë në integrimin e saj në NATO e BE, Presidenti Topi përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në Samitin e fundit në Shën Stefan, se “Shqipëria mbështet plotësisht integrimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”. Topi ka bërë një panoramë të shkurtër të situatës politike në Shqipëri, pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, duke shprehur besimin se me fillimin e sezonit parlamentar të vjeshtës në Shqipëri, do nisë një fazë e re e dialogut politik në vend, në shërbim të të ardhmes integruese të vendit, që përfshin ndryshime në legjislacionin zgjedhor, por edhe në miratimin e ligjeve mjaft të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian. Duke përshëndetur ecurinë e Maqedonisë në rrugën e integrimit, Topi ka vlerësuar edhe rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, i cili, siç nxitet edhe nga Shqipëria, është një element stabiliteti, bashkëpunimi dhe kohezioni të brendshëm.

Nga ana e tij presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, e falenderoi presidentin Topi për qëndrimet mbështetëse ndaj të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë. Ivanov ka vlerësuar këtë iniciativë takimesh mes Presidentëve, të iniciuar nga Presidenti Topi, duke u shprehur se ajo që filloi në Vlorë si një proces, tani është një detyrim, i cili duhet çuar përpara. “Nëse ekziston dialog, bashkëpunim mes presidentëve, kjo përcillet edhe në nivelet e tjera të dy vendeve”, nënvizoi Ivanov.

26046_topi ivanovPresidenti i Maqedonisë ndau të njëjtin mendim me presidentin shqiptar se tashmë duhet të kalohet në një nivel më ambicioz të marrëdhënies dypalëshe, në drejtim të zhvillimit të biznesit e partneritetit dypalësh, në të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Takime të tilla duhet të pasohen nga veprime konkrete të qeverive të vendeve respektive në funksion të ruajtjes e kultivimit të orientimit evropian në rajon, kanë vlerësuar të dy bashkëbiseduesit.