Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 19:25

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, zhvilloi të mërkurën një takim të veçantë pune me Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Aleksander Arvizu, kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Ëollfarth.

Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, kreu i shtetit pasi shprehu mirënjohjen për kontributin e organizmave ndërkombëtare dhe vendeve mike në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokratizimin e mëtejshëm të vendit, theksoi rëndësinë e madhe të zgjedhjeve të 8 majit jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por dhe për të treguar aftësinë dhe maturinë e partive politike dhe zgjedhësve në realizimin e zgjedhjeve demokratike, korrekte, të drejta e sipas standardeve të duhura.

Gjithashtu, Presidenti Topi përsëriti qëndrimin e tij të palëkundur për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore, të dekretuara sipas afateve kushtetuese, më 8 maj 2011.

Ambasadorët Arvizu, Sequi dhe Ëollfarth ndanë të njëjtin mendim me Presidentin Topi lidhur me përgatitjen dhe zhvillimin e suksesshëm sipas standardeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Kreu i shtetit shqiptar, së bashku me ambasadorët e vendeve mike dhe aleate, nënvizuan domosdoshmërinë që faktorët politikë shqiptarë të përgatisin së bashku e të realizojnë me sukses zgjedhjet vendore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë frytet e zgjedhjeve të lira, të drejta e demokratike.

Ndërkaq, bashkëbiseduesit, duke vënë në pah se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë.