Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 09:30

Tiranë-Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi dje shpalljen e ligjit “Për buxhetin e vitit 2012”. Pas votimit të debatuar në Kuvend, Buxheti i vitit 2012, pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Buxheti i vitit 2012 kap vlerën e 396.9 miliardë lekëve dhe është dukshëm më i ulët se ai i viteve të mëparshme, pasi në të janë parashikuar edhe efektet që kriza e eurozonës do të ketë në ekonominë shqiptare. Ligji parashikon një rritje ekonomike në masën 4.3 për qind dhe inflacion 3 për qind.

Vitin e ardhshëm, qeveria ka planifikuar të mbledhë 355.7 miliardë lekë, ku pjesa dërrmuese do të grumbullohen nga tatimet dhe doganat, ndërsa do të shpenzohen 396 9 miliardë lekë.

Deficiti buxhetor do të arrijë në 41. 1 miliardë lekë ose sa 3 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që borxhi publik që nuk do të kapërcejë kufirin e 60 për qind të PBB-së.

Sektorët prioritarë do të jenë Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia dhe Infrastruktura, megjithëse fondet janë reduktuar kundrejt buxhetit fillestar të këtij viti dhe kanë një rritje të lehtë kundrejt buxhetit të rishikuar.

Kështu, vitin e ardhshëm për arsimin do të jepen fonde sa 2.8 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, për shëndetësinë 2.09 për qind e PBB-së, për bujqësinë financimet buxhetore do të jenë sa 0.49 për qind e produktit kombëtar, ndërsa për infrastrukturën do jepen 55.2 për qind te totalit te investimeve publike, ku prioritet do të jenë rrugët Tiranë-Elbasan, rruga e Arbrit etj.