Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 15:44

Tiranë – Presidenti Bamir Topi dekoroi sot tre përfaqësues të shquar ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë kontribuar në përballimin e situatës së rënduar për shkak të përmbytjeve në fundvitin e kaluar, në rrethin e Shkodrës.

Presidenti Topi i dorëzoi Gjeneral-Lejtnant Sylejman Selimit “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin “Për kontribut të çmuar në përballimin e fatkeqësive natyrore gjatë përmbytjes në rajonin e Shkodrës”.

Me të njëjtin motivacion, Kreu i Shtetit u dorezoi Kapiten Ejup Maqedoncit dhe Tetar Valdrin Kelmendit, Medaljet “Për Shërbime Ushtarake” se bashku me dekretet përkatëse.

Në fjalën e tij, Topi u shpreh se “ka qënë një moment kur solidariteti njerëzor, por mbi të gjitha angazhimi dhe profesionalizmi juaj bënë që të gjithë të ndihen krenarë për atë ndihme të menjëhershme që erdhi nga qeveria e Kosovës dhe posaçërisht nëpërmjet Forcave të Sigurisë së Kosovës”.

Presidenti tha se “ne jemi të ndërgjegjshëm se ndertimi i institucioneve të reja të Kosoves do bëhet sipas të gjitha standardeve të NATO-s” dhe shprehu bindjen se ky progres që vjen ditë pas dite, patjetër ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Forcave të Sigurise së Kosovës.

Në emër të te dekoruarve, përshendeti të pranishmit Gjeneral Lejtnant Sylejman Selimi, i cili tha se “ky nuk është një nder vetëm për mua, por edhe për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë që kanë kontribuar dhe kanë dhënë ndihmën e tyre vellezërve tanë në Shqipëri”.