Lajme Shqip Wednesday, 19 September 2012 14:28

TIRANE- Kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi reagoi sot ndaj akuzave të kryeministrit Berisha në kohën kur ai drejtonte Presidencën.

Ish-presidenti Topi ashpërsoi tonet, duke u shprehur se kryeministri u shfaq dje në një gjendje të çekuilibruar dhe kjo sipas tij, ndodh sa herë ai ndjen humbjen politike. 

“Jam këtu për të reaguar për deklaratat e kryeministrit në parlament. I jap të drejtë Mark Twenit që këshillonte për të mos debatuar asnjëherë me njerëz të tillë, se të tërheqin në nivelin e tyre, por këtë po e bëj në nderim të qytetarëve. Ai hodhi dje një lumë akuzash, shpifjesh e intrigash duke tentuar të njollosë emrin e personalitetin tim, në ish detyrën e kreut të shtetit. U shfaq në një gjendje të çekuilibruar, humbje kontrolli e një të moshuari.

I njëjti njeri ka 20 vite që baltos institucionet. Si politikan e kuptoj shumë mirë rënien e tij në nivele të tilla, sa herë ndodhet para një dështimi politik e humbet kontrollin dhe është i gatshëm të bëjë gjithçka ndaj rivalëve, përfshi kërcënimet me jetë. Ai u shfaq si një pacient në fazë të rënduar mendore”, deklaroi Topi. 

Topi e cilësoi fjalorin e përdorur nga kryeministri si të denjë për rrugën dhe jo për institucionet, ndërsa u shpreh se Berisha asnjëherë nuk ka dashur të hetojë vrasjet politike.

“Berisha e lidhi emrin tim me vrasjen e gjyqtarit Konomi, por unë di të them se ai drejton policinë dhe shërbimin sekret, ai ka akses për hetim, por nuk heton nuk zbardh të vërtetat e mëdha, vetëm shpif, për të nuk ka rëndësi e vërteta, kështu ka bërë për të gjitha vrasjet politike. Shqiptarët e dinë kush e ka çuar vendin në prag të konfliktit civil për shkak të karriges së tij, siç e dinë kush kërcënon me jetë nga foltorja e Kuvendit”, nënvizoi Topi.

“Në prag të kalimit në pension politik, ai kupton forcën që po merr FRD, hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë, klani i tij mban peng politikën, Partinë Demokratike dhe institucionet e vendit, median. Kjo përbën një kërcënim për demokracinë, për shtetin e së drejtës, kërcënim për interesat madhore të vendit. Jam i motivuar dhe i vendosur për të mos lejuar që vendi të kalojë në pashallëkun e familjes së Berishës. Së bashku me kurajo e vullnet, ta largojmë nga pushteti stalinistin e fundit në Evropë”, përfundoi Topi fjalën e tij.(LajmeShqip.com)