Lajme Shqip Sunday, 04 September 2011 12:05

Tiranë – Presidenti i Republikës Bamir Topi priti të dielën Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, i cili ndodhet në Shqipëri një vizitë zyrtare disaorëshe.

Në një konference të përbashkët për shtyp pas takimit me dyer të mbyllura, Presidenti Topi dhe homologu i tij shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Edhe pse të dy vendet tona janë larg gjeografikisht, kjo distancë nuk mund të shihet si pengesë për të ndërtuar marrëdhënie të mira bilaterale dhe multilaterale. Raportet diplomatike mes vendeve janë dinamike”, vlerësoi Presidenti Topi.

“Ngritja e konsulltave të nderit në të dy vendet do të ishte një hap i parë për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit”, tha Topi, i cili informoi mediat se bashkëpunimi ekonomik ishte një ndër çështet kyçe të bisedës me z. Sosa, sikurse dhe bashkëpunimi kulturor dhe ai në fushën e turizmit ishin në vëmendje të të dy palëve.

Në emër të shtetit të Shqipërisë, Topi i shprehu mirënjohjen homologut nga Hondurasi për angazhimin e tij për njohjen e shtetit të Kosovës.

Nga ana e tij, Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa tha se do të angazhohej për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. “Kemi patur mundësinë të admirojmë dinamiken e shpejtë të zhvillimeve politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe për këtë ju përgëzojmë”, u shpreh Sosa.

Lidhur me çështjen e Kosovës, duke e kosnideruar si një të drejtë legjitime, të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar në liri, pavarësi dhe sovranitet, Sosa deklaroi se në takimin e ardhshëm të vendeve të Amerikës Qendrore do të kërkohet çështja e njohjes së shtetit të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të AM-së.

Në këtë drejtim, Presidenti Topi shtoi se institucionet e qeverisë shqiptare kanë një metodologji të qartë të lobimit në të gjitha takimet e tyre bilaterale dhe multilaterale për njohje e shtetit të Kosovës.

Topi solli në vëmendje samitin e UNESKO-s që u zhvillua këtë javë në Serbi me pjesëmarrjne e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore dhe ku Kosova nuk ishte e pranishme. “Në takimin me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç i shpreha ketij të fundit shqetësimin se nuk ka asnjë lloj sensi që të shmanget Kosova nga dialogu politik rajonal, nga shkëmbimet dhe të gjitha ato tema të rëndësishme rajonale”, tha Presidenti Topi, ndërsa shtoi se “ne e konsiderojmë çështje kohe dhe besojme që edhe ato faktorë që janë sot pengues do të ndërgjegjsohen që Kosova të jetë pjesë e rëndësishme e rajonit”.

Pas takimit të zhvilluar me Presidentin Topi, Presidenti i Hondurasit Sosa u prit edhe nga Kryeministri Berisha, dhe do të pritet nga kryeparlamentarja Topalli, kreu i PS, Rama si dhe ai i Bashkisë së Tiranës, Basha.

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Hundarasit do të nisin punën për hartimin e marrëveshjeve në të gjitha fushat, në mënyrë që të plotësojmë sa më shpejt infrastrukturën më solide në bashkëpunimin mes dy vendeve. Kështu u shpreh Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp pas takimit me Presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare disaorëshe.

Kryeministri Berisha bëri të ditur se e ka njohur kreun e shtetit të Hondurasit me potencialet që ofron Shqipëria për biznesin e vendit të tij dhe më gjerë.

Berisha vlerësoi, gjithashtu, qëndrimin miqësor të shtetit të Hondurasit ndaj shqiptarëve në përgjithësi, veçanërisht ndaj Kosovës, duke njohur dhe pavarësinë e saj.