Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 16:21

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, përshëndeti sot Forcat e Armatosura të Shqipërisë me rastin 2-vjetorit të pranimit të Shqipërisë në aleancën e NATO-s, në një vizitë që zhvilloi në Repartin elitë të ushtrisë, Forcave Komando, në Zall Herr, në Tiranë.

Presidenti Topi e cilësoi si të shënuar këtë ditë, e cila përkon me 62-vjetorin e themelimit të NATO-s, aleancës më të madhe politiko-ushtarake për ruajtjen e paqes në botë, duke theksuar se “4 prilli është një ditë e shkruar me shkronja të arta në historinë moderne të popullit shqiptar”.

“Jemi krenarë që jemi pjesë e NATO-s dhe kontributorë për paqen dhe sigurinë në botë”, tha Topi.

“Është padyshim një ngjarje e shënuar dhe mjaft emocionuese që sot përkujtojmë ditën e themelimit të aleancës më të madhe politiko- ushtarake për paqen dhe sigurinë në botë, NATO-s, por të festojmë së bashku edhe 2 vjetorin e pranimit  të Shqipërisë si vend anëtar i saj me të drejta të plota”, tha ai.

Kreu i Shtetit vlerësoi progresin e bërë në keto vite nga forcat e armatosura të Shqipërisë.

“Jam krenar si President  i Republikës, si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që me forcën tuaj, me intelektin, profesionalizmin tuaj keni dëshmuar që jeni jo vetëm aleat të kësaj aleance të madhe, por që jeni në standardet e bashkëudhëtuesve tuaj në luftën kundër terrorizmit, luftën për vendosjen e paqes në rajone të ndryshme të globit”, tha Presidenti Topi.

Të gjithë jemi koshientë, tha Presidenti i Republikës, që statusi i Shqipërisë në NATO është pasojë e reformave të thella politike dhe ushtarake, pasojë e një kontributi real të të gjithëve për të ndërtuar ligje,  rregullore dhe për t’u përgatitur.

Presidenti Topi në viziten në Repartin e Zall Herrit u njoh nga afër me angazhimet e forcave speciale,  përgatitjen e tyre si dhe ndoqi operacione të stimuluara prej tyre në luftën ndaj terrorizmit.  Forcat speciale demonstruan përgatitje të lartë profesionale, guxim e trimeri, sikunder e kanë dëshmuar ne operacionet reale brenda dhe jashte vendit.