Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 09:06

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi sot me anë të një mesazhi se katër dëshmorët e demokacisë, të vrarë në demonstratën e 2 prillit në Shkodër, janë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste.

“Në 20 vjetorin e demonstratës antikomuniste të 2 prillit në Shkodër mendimi ynë shkon në nderim e respekt të kujtimit të katër dëshmorëve të demokracisë, që u vranë pabesisht gjatë asaj proteste, studentit të dhjetorit Arben Broci dhe tre bijve të tjerë të Shkodrës, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka. Ata janë tashmë pjesë e pashlyeshme e qëndresës antikomuniste, e shpirtit shkodran që nuk pranoi kompromis për demokracinë e shumëpritur, por edhe e shpirtit shqiptar në përgjithësi që për lirinë ka luftuar e sakrifikuar në shekuj”, thuhet në mesazhin përkujtimor të Kreut të Shtetit.

“20 vjet nga ajo demonstratë që pati si protagonistë kryesorë studentë e gjimnazistë të Shkodrës, rruga për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri vazhdon të jetë me sfida të rëndësishme, të cilat kërkojnë impenjimin e gjithsecilit. Përpjekjet e të gjithëve duhet të bashkohen për ta konsoliduar demokracinë tonë të re, si një garanci se po ecet në drejtimin e duhur, atë drejt familjes së madhe euroatlantike”, thuhet në mesazh.

“Nderim dhe respekt për katër dëshmorët e demokracisë dhe për të gjithë ata ish-nxënës, studentë e qytetarë të Shkodrës, që 20 vite më parë demonstruan duke kërkuar siguri për të ardhmen e pluralizmit dhe sistemit demokratik të fituar në dhjetor 1990. I paharruar qoftë kujtimi i Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës”, përfundon mesazhin e tij Presidenti i Republikës.