Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 16:50

Tiranë – Presidenti Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe delegacionin zyrtar shqiptar, u pritën sot nga Kryetari i Bashkisë së Barit, Mikele Emiliano dhe autoritetet e tjera të larta të pushtetit vendor, nga personalitete të politikës, sipërmarrjes dhe kulturës së këtij qyteti bregdetar si dhe nga shumë qytetarë, mes të cilëve numëroheshin me qindra bashkatdhetarë.

Zyra e shtypit e presidencës bëri të ditur se në takimin e zhvilluar me kryebashkiakun Mikele Emiliano dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Barit, Topi e cilësoi me rëndësi faktin se një ndër pikat kryesore të lidhjeve historike të Shqipërisë me Italinë është pikërisht qyteti i Barit dhe Rajoni i Puljas.

Sipas tij, në këtë rajon është konsoliduar një marrëdhënie e fortë tradicionale miqësie mes dy popujve, e cila kapërcen çdo kufi e paragjykim.

Një vlerësim të posaçëm, Kreu i Shtetit e bëri për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë qytet, e cila ka dëshmuar vlerat më të larta qytetare, duke u integruar me dinjitet e korrektësi në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë shoqërore të këtij rajoni.

Presidenti  vuri në dukje se “ky integrim nuk do të kishte qenë i mundur pa mikpritjen dhe bujarinë e vetë qytetarëve italianë si dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, të cilët iu gjendën pranë shqiptarëve në ditë të vështira të jetës së tyre, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe popujve tanë”.

Me këtë rast, në sallën e Këshillit Komunal të Barit, Presidenti Topi nderoi Komunën e Barit me “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin “Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë”.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, së bashku me delegacionin zyrtar shqiptar, do të vizitojnë ekspozitën fotografike “Portrete shqiptarësh – Dritë dhe hije”, të çelur me rastin e 20-vjetorit të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në brigjet e Italisë.