Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 18:35

Presidenti Bamir Topi ka qenë i pranishëm gjatë paradites së sotme në Panairin e Librit. Gjatë vizitës së tij, shtëpia botuese “Dudaj” i ka bërë dhe një dhuratë presidentit, pikërisht librin “Kurban” të kreut të opozitës, Edi Rama.

Gjatë një fjale të shkurtër për mediat, presidenti Topi është shprehur i kënaqur që lidhja e shqiptarëve me librin është e fortë. I pyetur në lidhje me librin e Ramës, ai tha se preferon që për momentin të mos lexojë libra nga politikanët, por tha se ai do të jetë në arkivën e vet.

“Sot është bota e teknologjisë moderne e shumë të rinj duan ta përdorin internetin por më vjen mirë që nuk e kanë humbur interesin për librin. Unë meqënëse jam në këtë panair dëshiroj ti rikthehem edhe njëherë një figure sikurse është Alizot Emiri të cilin e pyetën çfarë bën tha “shes mendjen e botës”. Vërtet panairi këtu falë organizatorëve e përkushtimit të tyre bëhet më i bukur me shumë tituj por do të thotë se këtu është një koncentrat i fuqishëm i mendjeve krijuese qofshin figura shkrimtarë klasik të botës moderne, apo edhe shkrimtarë shqiptarë, me emër apo atyre që e kanë përzier bukur politikën me librin”, theksoi Topi gjatë fjalës së tij.