Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 23:41

Tiranë- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se “nuk kam ambicje për postin e Kreut të Shtetit”. Gjatë një emisioni televiziv, Topalli deklaroi se do të vazhdojë kontributin e saj në jetën politike në vend duke shtuar se “jam Kryetare e Kuvendit deri në vitin 2013 dhe do të punoj për zgjedhjet e ardhshme”.
    

Ndërsa e pyetur mbi kriteret për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Topalli nënvizoi se “Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë, veçanërisht me ndryshimet që janë bërë 2 vite më parë, dhe është ligji themeltar më konsensual”. Kjo është arsyeja, theksoi kryeparlamentarja Topalli, se  “Presidenti i ardhshëm ka konsensualitetin e plotë dhe ky ligj, dhe nuk lë vënd për interpretime”.    

Ajo shtoi gjithashtu se “nuk e shoh të arsyeshme kandidaturën e z. Fatos Nano për President të ardhshëm”.

Sulmi frontal ndaj presidentit Topi

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se Bamir Topi ka dëmtuar disa herë Partinë Demokratike me qëndrimet e tij. Pasi e cilësoi ligjin për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta si të standardeve europiane, Topalli tha se “Presidenti Topi ka shkelur Kushtetutën kur e ka rikthyer në Kuvend këtë ligj”.    

Sipas saj “ai e ka përdorur këtë ligj si një instrument politik dhe për arsye politike, ndoshta pasi mendonte se mund të gënjente shqiptarët, tani që ka shpallur projektin e tij për krijimin e një partie të re”.    

Kryetarja e Kuvendit theksoi se “personalisht nuk ka asnjë tension me zotin Topi”. “Unë jam politikane dhe kam thënë atë që besoj, se Topi ka zgjedhur për të luajtur në fushën e majtë. Më pas, Topi fyeu dialektin e Shkodrës, për të cilin unë jam krenare. Ai është një i djathtë që voton kryetarin e së majtës”, tha Topalli.    

Duke kujtuar disa raste, ku sipas Topallit, qëndrimi i Bamir Topit ka dëmtuar Partinë Demokratike, Kryetarja e Kuvendit rikthehet pas në vitin 1996, kur të dy janë zgjedhur për herë të parë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.    

“Ai u zgjodh atëherë ministër, ndërsa unë kryetare e komisionit të ligjeve. Nuk është se kemi patur ndonjë raport njohje të afërt. Por, ka disa elementë kryesorë mbi të cilat unë kam krijuar mendimin tim në raport me situatat që Topi ka pasur në PD”, tha Topalli.    

Sipas saj në vitin 1998, kur do të zgjidhej kryetari i degës së PD-së për Tiranën dhe Bamir Topi ishte kandidati kryesor për këtë post, ai u tërhoq nga kandidimi vetëm dy orë para konferencës edhe pse lajmi për kandidimin e tij ishte publikuar tashmë edhe në media.    

Topalli kujton një tjetër rast, ku sipas saj, Bamir Topi ka dëmtuar PD-në. “Bamir Topi kërkonte që të kandidonte në zgjedhjet vendore të 2003 për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri Berisha ia kishte premtuar se do të ishte kandidati i PD-së për kryetar bashkie. Vetëm disa orë para shpalljes së kandidaturave, Bamir Topi erdhi dhe tha se nuk do të kandidonte, duke na lënë në një moment të vështirë, pasi nuk kishim kohë për të gjetur një kandidat tjetër.Në këtë moment, Spartak Ngjela tha se, e hedh unë kandidaturën, pasi nuk e lë PD-në pa kandidat për kryetar Bashkie. Pra, gjithmonë vendimet e Topit kanë qenë për interesin e tij”, tha Topalli.    

Sipas saj “megjithë këto raste, Kryeministri Berisha vazhdonte ta respektonte njëlloj Bamir Topin”. “Nuk e di arsyen se pse Berisha e ka respektuar në mënyrë krejt të veçantë Topin. Pas këtyre rasteve, kur ishin zgjedhjet politike, Bamir Topi donte të ndryshonte zonën e tij elektorale dhe Berisha sërish ia plotësonte çdo kërkesë”, tha Topalli.    

Topalli tha se nuk ka qenë kundër zgjedhjes së Bamir Topit për President, madje ka punuar me të gjitha forcat për këtë qëllim. “Natyrisht ka qenë Berisha që e ka bërë President, por unë nuk kam qenë kundër. Kam bërë përpjekje dhe ndoshta kam shtuar ndonjë votë, jo se janë blerë vota. Kjo, pasi nëse nuk zgjidhej Presidenti, vendi shkonte në zgjedhje të parakoshme dhe rrezikonim anëtarësimin në NATO, ndaj dhe gjithë investimi shkoi te Bamir Topi”, tha ajo.