Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 13:52

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka akuzuar drejpërdrejt presidentin Topi dhe liderin opozitës Edi Rama, si drejtuesit e celulës anti-europiane që mbajnë peng integrimin e vendit dhe bënë që me veprimet e tyre bllokuese, Shqipëria të mos marrë statusin kandidat.

Kryetarja e kuvendit tha se “Përsa i takon arsyes, për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokim. Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve”.

E pyetur nëse kishte të bënte kjo me celulën anti-europiane që ajo citon shpesh përgjigja e Topallit ishte “Sigurisht që po”. Kryetarja e kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli deklaroi se ndjen dhimbje për mosmarrjen e statusit kandidat i cili i’u refuzuar Shqipërisë për të dytin vit rradhazi.

“Si Kryetare e Parlamentit kisha një dhimbje të madhe. Unë mendoj se bojkoti i’a ka arritur qëllimit! Zoti Rama ka patur plotësisht të drejtë, bojkoti i’a ka arritur qëllimit dhe ka lënë Shqipërinë pas status. Të paktën e ka vonuar statusin. Si Kryetare e Kuvendit ndiej dhimbje”- ka deklaruar Topalli.

Topalli deklaroi më tej se sërish Shqipëria mbetet peng i vullnetit bllokues të opozitës  pasi tha ajo “Në 12 kriteret janë; Ligji për Gjykatën administrative që prej tre vitesh është në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe që opozita nuk pranon ta votojë. Ju gazetarë që keni ndjekur të gjitha seancat plenare, çdo reformë që është miratuar me votat e mazhorancës është votuar dhe ka dhënë rezultat. Heqja e vizave kishte të bënte vetëm me votat e mazhorancës”.