Lajme Shqip Friday, 06 September 2013 14:43

Tiranë – Teksa pak ditë na ndajnë nga çelja e sesionit të ri parlamentar, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” ka falënderuar deputetët teksa ka shprehur mirënjohje të thellë për ligjvënësit që u bënë pjesë e reformave të qeverisë ‘Berisha’.

“Isha e privilegjuar të drejtoja institucionin më të rëndësishëm të vendit, Kuvendin e Shqipërisë”, thekson Topalli, duke shprehur krenari për ridimensionim që i është bërë Parlamentit gjatë këtyre viteve.

“Mirënjohje të thellë për të gjithë deputetet dhe deputetët që mbështetën dhe u bënë pjesë e reformave historike që transformuan vendin në këto tetë vite. Jam krenare për punën kolosale që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë për të miratuar reformat e guximshme të Kryeministrit Sali Berisha. Tetë vite më parë ishte e paimagjinueshme Shqipëria që është sot në çdo fushë, në çdo cep, në çdo aspekt të zhvillimit e jetës. Isha e privilegjuar të drejtoja inistitucionin më të rëndësishëm të vendit, Kuvendin e Shqipërisë. Krenare për ridimensionimin që i kemi bërë Parlamentit shqiptar gjatë këtyre viteve, për rolin lider që ky parlament ka marrë si kurrë ndonjëherë në këto 20 vjet, ashtu siç i takonte.
Mirënjohje të pafund, falenderim të thellë për deputetet dhe deputetët e tetë viteve.
Mirënjohje për bashkëpunëtorët dhe bashkëpunëtoret e mia të dedikuara, të përkushtuara e që punuan pa orar e me dashuri për vendin tonë. Vlerësim për administratën, për gratë dhe burrat, vajzat e djemtë që punuan me korrektësi, me disiplinë, edhe pse nën presion, për të bërë detyrën, punën e shtetit. Faleminderit!” shkruan Topalli. /BW/