Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 07:26

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përmes zëdhënëses së saj, reagoi ndaj akuzave të radhës të PS-së për konkursin ndërkombëtar të kompleksit të ri parlamentar, duke e konsideruar atë transparent dhe të drejtë.

Zëdhënesja Suela Ruseti, në një deklaratë për mediat, në emër të kryeparlamentares Topalli, akuzoi kryetarin socialist Edi Rama se “gënjen për gjithçka”.

“Ne e kuptojmë që shoku Rama është i shqetësuar sepse për Kompleksin e Ri Parlamentar u bë konkursi më transparent dhe më i suksesshëm që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Balta që ai hedh mbi studiot italiane, gjermane, parisiene e vjeneze, vetëm nderojnë konkursin më publik e transparent të realizuar ndonjëherë ne vend”, tha zëdhënësja Ruseti.

Sipas saj, “balta bie vetëm mbi shokun Rama, të tronditur e në panik që Tirana, në 100-vjetorin e themelimit të shtetit Shqiptar, kur ai nuk do jetë më Kryetar, do të ketë siç i takon një monument kombëtar unik, në të njëjtën kohë një vepër arti që do të zbukurojë Tiranën, të cilën ai e shkatërroi”.

Kryeparlamentarja fton Ramën të hetojë çfarë të dëshirojë, “sepse dyert e Kuvendit nuk janë të mbyllura si ato të Bashkisë së shokut Rama”.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi dje për mediat se grupi parlamentar socialist do të nisë një hetim ndaj kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila sipas tij, ka shpërdoruar fondet publike për konkursin për projektin e parlamentit të ri, rezultati i të cilit, sipas opozitës, ka qënë i paracaktuar.

Më 24 mars juria ndërkombëtare shpalli projekt fitues të kompleksit të ri parlamentar Maketin 11022 T, i paraqitur nga studio vjeneze COOPHIMELB (L) AU.