Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 16:04

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit të përbashkët parlamentar për Ballkanin Perëndimor, i konsideroi “raciste dhe antishqiptare” deklaratat e eurodeputetit Viktor Boshtinaru, i cili është shprehur kundër liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Në reagim të këtyre akuzave kryeparlamentarja Topalli tha se qëndrimet e Boshtinarut synojnë t’i imponojnë sërish shqiptarëve “Murin e Berlinit”, bënë të ditur burime zyrtare nga Kuvendi. 
“Ka një Boshtinaru që ka propozuar që shqiptarëve t’u mohohet pa shkak lëvizja e lirë dhe Shqipërisë t’i imponohet sërish “Muri i Berlinit”; por ka dhe 3.2 milionë shqiptarë, mes të cilëve edhe Jozefina Topalli, që këto propozime të përbuzshme i konsiderojnë antishqiptare, raciste, të ulëta dhe të motivuara nga interesa të ulta! E ritheksoj se të tilla propozime “ala Çaushesku” janë qartësisht të sponsorizuara nga qarqe antishqiptare! Ky është realiteti! Nëse nga realiteti fyhet ndokush, faji nuk është as i realitetit, as i 3.2 milionë shqiptarëve e aq me pak i Jozefina Topallit”, deklaroi kryetarja e Kuvendit në replikë me eurodeputetin e pranishëm në takimin për Ballkanin Perëndimor.