Lajme Shqip Thursday, 08 August 2013 13:42

Tiranë – Kryetarja në detyrë e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ironizuar dje qëndrimet e kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama për politikën e jashtme. Me anë të një postimi të publikuar në rrjetin social të “Facebook”, Topalli pretendoi se renditjen e “trekëndëshit” të partnerëve strategjikë të Shqipërisë (Itali, Greqi, Turqi), Rama e ndryshon në varësi të vizitave të rradhës. Sipas saj përdorimi i “trekëndëshit” nga Rama është huazuar nga sllogani komunist “Punë-Mësim-Kalitje”, raporton BW. 
Topalli ka akuzuar gjithashtu kryesocialistin se jo vetëm është i paditur por se nuk ka as edhe një koncept për politikën e jashtme. Madje në funksion të këtij qëndrimi kryetarja në detyrë e Parlamentit ngre shqetësimin e mospërfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pjesë të “trekëndëshit” të partnerëve strategjikë të Shqipërisë. “Trekëndëshi i piktorit apo aleatët e shqiptarëve! Të dashur miq! Gjatë kohës së bllokmenëve ishte famoz sllogani për ‘trekëndëshin Punë-Mësim- Kalitje’. Sot (dje), rilindasi Edvin foli përsëri për trekëndëshin…(natyrisht, jo në kuptimin gjeometrik, se nga shkencat ekzakte nuk kupton asgjë), por, në nostalgji të kohës së trekendëshit të parë, foli për trekëndëshin strategjik të Diplomacisë së Rilindjes, ‘Turqi-Itali-Greqi’.

Pa asnjë koncept dhe i kompleksuar, si gjithnjë, nga padijet e tij, bëri sikur foli edhe për politikën e jashtme. Renditjen parësore të vendeve të trekëndëshit të tij e ndryshon, pa problem, 3 herë në ditë sipas telefonatave të Ditmirit në varësi të vizitës së rradhës. Po aleati ynë strategjik SHBA a hyn në trekëndëshin e piktorit?!”, – shprehet mes të tjerash Topalli. Brenda kornizës së të njëjtit reagim kryetarja në detyrë e Parlamentit e mbyll komentin e saj në “Facebook” duke e krahasuar kryesocialistin Rama me kryetarin e partisë Aleanca Kuqezi, Kreshnik Spahiu. “Gjithnjë e më shumë, dhe jo vetëm nga bratelet, Kryerilindasi po ngjason me Spahiun e dylbive”, – ka përfunduar reagimin e saj, Jozefina Topalli.