Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 13:48

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ftoi të enjten deputetët e opozitës që të bashkëpunojnë për reformat në procesin e integrimit dhe t’i votojnë ligjet në Kuvend.

“Agjenda e ardhshme e parlamentit e ka emrin ‘reforma’, ndaj unë i ftoj njerëzisht kolegët e opozitës që të punojmë bashkë, i ftoj të votojmë bashkë. Ne po hyjmë në vitin e tretë të kësaj legjislature dhe kemi mundësinë dhe privilegjin që të bëjmë hapa të tjerë drejt BE-së”, u shpreh Topalli, në një deklaratë për shtyp.

Ajo theksoi se këtë sesion Kuvendin e presin shumë reforma dhe mes tyre disa ligje që kërkojnë votat dhe nga opozita.

“Disa nga këto ligje janë gati, mjafton që të gjithë deputetët të ngrenë kartonin jeshil. Kuvendi nuk mund të jetë vendi i deklaratave, por ai duhet të jetë vendi i punës për të gjithë. Strategjia e bojkotit është një anakronizëm i skualifikuar”, tha Topalli.

Ajo u shpreh për ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore, për të cilën sipas saj duhet dhe angazhimi i opozitës.

“Integrimi i vendit është objektivi ynë madhor kombëtar dhe askush nuk duhet të bëjë tregti me të. Nëse punojmë të gjithë bashkë brenda shtatorit mund të bëjmë punë shumë të mira. Vendi ka nevojë për mbështetjen e opozitës, për votën e opozitës për 12 rekomandimet. Maxhoranca është e hapur për të bashkëpunuar dhe të gjithë jemi me vullnet pozitiv për axhendën tonë të reformave”, theksoi kryetarja e Kuvendit.