Tiranë – Lideret gra nga e gjithë bota u mblodhën në Vilnius (Lituani) në Forumin Botëror të nivelit të lartë, me temë “Gratë promovojnë demokracinë”, i organizuar nga presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte e ftuar në këtë konferencë përkrah grave lidere si Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, Presidentja e Lituanisë, Presidentja e Finlandës, Presidentja e Kosovës, etj.
Gjatë punimeve të konferencës, kryeparlamentarja u takua me Sekretaren e Shtetit, Hillary Klinton, të cilat në fjalën e tyre mbështetën të njëjtin qëllim dhe të njëjtin koncept se mospjesëmarrja e grave në vendimmarrje dhe demokracia kanë një kontradiksion.
Në fjalën e saj me temë “Gratë që frymëzojnë botën, të arrira, të pushtetshme, të barabarta.”, Topalli tha se çdo grua në këtë sallë ka marrë me vete zërin e miliona grave të tjera dhe ky zë, si muzika, inspiron. Çështja e të drejtave të njeriut, si muzika, është universale, ndaj inspiron”.
Ajo theksoi se gjatë udhëtimit në shekuj gratë me përpjekjet e tyre kanë hapur dyer dhe kanë krijuar modele suksesi. “Librat shkruajnë se: “Kur mbyllet njëra derë, hapet një tjetër. Por, njerëzit shpesh dhe me keqardhje shikojnë aq gjatë tek dera e mbyllur, saqë nuk e vërejnë atë që është hapur. Sot shumë gjëra kanë ndryshuar. Çdo grua Presidente këtu, çdo kryeministre, çdo ministre është si një portë e hapur”, tha Topalli në fjalën e saj në këtë Forum.
/a.s/ /m.m/