Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 15:00

Shkup- “Integrimi në Bashkimin Europian është interesi që bashkon Shqipërinë dhe Maqedoninë, është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në fjalën e saj mbajtur të mërkurën para parlamentit maqedonas, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Shkup.

Në fjalën e saj kryeparlamentarja kërkoi bashkëpunim për reformat integruese si qëllimi i përbashkët për të dyja vendet. “Një Ballkan i ndërlidhur me vendet fqinje dhe me një partner si SHBA-ja do t`i jepte një dinamikë të re zhvillimi,dhe do të jepte edhe një standart të ri për integrimin europian. Anëtarësimi i Ballkanit do ta lehtësonte edhe vetë BE-në në një sfidë sa politike, aq edhe ekonomike”, nënvizoi Topalli.

Në fjalimi e saj para deputetëve maqedonas kryetarja e Kuvendit u shpreh kundër dhunës dhe gjithë formave që ajo manifestohet, të cilat i konsideroi jo vetëm të papranueshme, por dhe anakronike.

“Kufijtë që dikur ishin muret tona, sot nuk kanë më kuptimin e atyre të dikurshëm. Infrastruktura që po ndërtojmë na afron edhe më shumë. Ne jemi evropianë dhe si të tillë duhet të jetojme e sillemi. Të jesh evropian do të thotë të ndash të drejtat vlerat, tolerancën, ligjin, barazinë para ligjit, të drejtat e minoriteteve”, theksoi Topalli.

“Rajoni ynë, vijoi ajo, ka ndryshuar; nuk ka më genocide, mizori dhe luftë. E kaluara dhe historia na ka mësuar se dhuna është arsyeja e atij që e ka gabim; dhuna është brutale, iluzive. Koha që jetojmë refuzon çdo shfaqje dhune dhe intolerance”.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është e orientuar në forcimin e marrëdhënieve dhe integrimin e rajonit. “Shqipëria do mbetet një faktor i rëndësishëm në rajon që ndikon në ruajtjen e stabilitetit politik dhe ekonomik të tij.Politika e rajonit është pasuruar në dy dekadat e fundit me realitete të reja, politike dhe shtetformuese. Është formuar shteti i ri i Kosovës”, tha Topalli.

Duke i konsideruar ‘të rëndësishme’ marrëdhëniet me Maqedoninë ajo vuri në dukje projektet e përbashkëta mes dy vendeve si projektin e linjës elektrike Tiranë-Shkup, ndërsa theksoi se qeveritë respektive kanë firmosur deri tani 57 marrëveshje dypalëshe. (LajmeShqip.com)