Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 13:31

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, reagoi të enjten pas akuzave të hedhura një ditë më parë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndaj gjyqtarëve të trupës së Kolegjit Zgjedhor.

“Mbrëmë, antiparlamentarët e opozitës kanë filluar sulmet ndaj gjyqtarëve të Kolegjit, duke akuzuar se ata kanë marrë miliona euro. Në fakt, të sulmosh parreshtur drejtësinë, shtetin, të sulmosh përmes shantazheve, shpifjeve dhe trillimeve, është tepër e rëndë. E në mënyrë të veçantë kur kjo ndodh nga lidershipi i një partie opozitare”, tha Topalli.

Rama, vijoi ajo, “që në mediat ndërkombëtare njihet si mister 20%, sulmoi tetë anëtarë të sistemit gjyqësor, duke  thënë se kanë marrë miliona euro. I sulmoi ai që prej vitesh ka funksionuar vetëm mbi bazën e doktrinës së 20%-t, doktrinës së ryshfetit dhe të frikësimit e kërcënimit dhe mendon se kështu mund të realizojë qëllimet e tij ndaj drejtësisë dhe gjyqësorit”, u shpreh Topalli në seancën e sotme parlamentare.

Sipas saj, shpifjet dhe trillimet e tij janë e kundërta e së vërtetës dhe fakteve, të cilat treguan se shqiptarët dhe qytetarët e Tiranës e përzunë Ramën nga bashkia, e përzunë me vullnet të lirë, me proces transparent dhe kompetiv, me një proces zgjedhor në të cilin vullneti i shqiptarëve u provua me vullnetin më të fortë dhe më të qartë.

Kryetarja e Kuvendit tha se gjyqtarët e kolegjit nuk mund t’i përgjjigjen shpifjeve të tyre se ata flasin në respekt të ligjit dhe të institucionit.

Por, vijoi ajo, “Rama harron një gjë, se këta gjykatës, kur ai kishte të drejtë, i kanë dhënë të drejtë, ashtu sikurse kur nuk ka të drejtë ata do të zbatojnë ligjin”.